“Luftëtari dështoi se nuk ka financa”, ish-sulmuesi i brezit të artë i bën apel bashkisë: Reago shpejt…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2020 | 15:54

“Luftëtari dështoi se nuk ka financa”, ish-sulmuesi i brezit të artë i bën apel bashkisë: Reago shpejt…

Luan Seiti një ndër legjendat e gjalla të Luftëtarit, fanellën e të cilit e ka mbajtur veshur për 15 vjet. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai thotë se arsyet e rënies së Luftëtarit një kategori më poshtë janë disa. Sipas tij, pjesën e “luanit” e zënë kushtet ekonomike (financat ) dhe keqmenaxhimi i skuadrës sezonet e fundit.

SEITI

Seiti është i drejtpërdrejtë, duke radhitur shkaqet e rrëshqitjes së Luftëtarit mes inferiorëve pas humbjes 0-5 me Tiranën. “Të flasim tani për ecurinë e rënies së Luftëtarit në Kategorinë e Parë, mund të thuash shumë gjëra. Për mua, Luftëtari nuk mbijetoi në Superiore, pasi i mungonin financat. Arsyet ekonomike janë primare. Por, nuk duhet të mbetemi te ky shqetësim dhe ta konsiderojmë si hall të vetëm në radhët e Luftëtarit. Në gjithë kampionatin shqiptar dhe më gjerë, paratë bëjnë futbollin. Keqmenaxhimi nga ana e presidentëve preku fundin.

Eksperiencat kanë treguar se kush ka para, merr dhe lojtarë të mirë dhe këtë po e rrëfen ecuria e kampionatit aktual. Të bjerë Flamurtari dhe Luftëtari nga Superiorja, këtu ka diçka që nuk shkon… Kush investon, reziston. Janë dytri skuadra me traditë në futbollin shqiptar që luftojnë për të shmangur rënien në Kategorinë e Parë. Presidentët e klubeve s’mund të jenë dhe menaxherë dhe trajnerë. Janë trajnerët ata që bëjnë merkaton.

Luftëtari ndërroi katër trajnerë këtë kampionat. U kujtua si “shiu pas të vjelave” për fillimin e stërvitjes në fund të korrikut të kaluar dhe mori këtë fryt. Personalisht më duhet të them se dhe bashkia mund dhe duhet të bënte më mirë në shërbim të skuadrës. Është koha që të gjendet gjuha mes dy aksionerëve në të mirë të skuadrës”, u shpreh fillimisht Seiti. Ky i fundit ka ca fjalë për të ardhmen. “Do të dëshiroja që Luftëtari të rikthehej sa më shpejt në Superiore, ku dhe i takon të jetë. Të luash në Kategorinë e Parë (në kohën tonë e quanim të dytë), do të thotë të “nxjerrësh gjak nga goja”.

Luan-Seiti

Si shembull po marr Tomorin, meqë e kemi më afër të tjerëve. Shikoni sa po vuan. Ndaj, që Luftëtari të mos vuajë në “shtrëngatat” e “dallgëve” të Kategorisë së Parë, ka nevojë për shumë mbështetje financiare dhe për njerëz që ta ndiejnë futbollin. Luftëtari, aktualisht ka kualitete në përbërje të tij, por janë të pamjaftueshëm për të përballuar luftën e fortë sportive në nivelet inferiore.

Me grupin e lojtarëve që aktualisht skuadra ka në dispozicion nuk i ka “këllqet” për të përballuar nivelin e Kategorisë së Parë. Me trikatër përforcime cilësore, lojtarë të blerë nga Superiorja, Luftëtari rikthehet, gjithnjë me financa të shëndosha”, vijoi Seiti.

AKADEMIA – Seiti flet edhe për lojtarët e rinj nga akademia. “Është pa dyshim një punë që kërkon pasion dhe përkushtim nga trajnerët. Jo se këtu nuk punohet me moshat, por mungojnë talentet. Të thuash akademi është fjalë e madhe. Akademi kishte në kohën e Enver Hoxhës, ndërsa sot në 100 apo 200 kokrra dalin 2-3.

Dhe ata që dalin t’i merr Koço Kokëdhima në Fier apo dikush tjetër. Gërshetimi i përvojës me grupin aktual do mjaftonte që Luftëtari të zërë vendin e tij fundin e sezonit të ardhshëm”, përfundoi Seiti.

Tomor Shehu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"