Lufta për mbijetesë, Braho tregon recetën: Luftëtari e ka detyrim fitoren me Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2019 | 15:34

Lufta për mbijetesë, Braho tregon recetën: Luftëtari e ka detyrim fitoren me Vllazninë

Për Luftëtarin e dyshes së trajnerëve Marantas-Novi, ndeshja e radhës me Vllazninë është pa dyshim jetike për vazhdimësinë që ka të bëjë me arritjen e mbijetesës në Kategorinë Superiore. Barazimi i fundit, i arritur ndaj Flamurtarit në shifrat 1-1, pa dyshim që s’është pritur mirë, nisur nga paraqitja e bluzinjve në fushën e lojës.

Sefedin Braho

Për “Mjeshtrin e Merituar të Sportit”, Sefedin Braho, ndeshja me Flamurtarin është kapitull i mbyllur, ku sërish ranë në sy shpërdorimi i rasteve për gol dhe shpërqendrimi në limitet e ndeshjes. “Luftëtari duhet të bënte më mirë ndaj Flamurtarit.

Rastet e krijuara nga skuadra gjirokastrite, por të pashfrytëzuara, sollën edhe ndëshkimin e zakonshëm në minutat e fundit. Sëmundje e trashëguar prej javësh, e cila duhet ‘kuruar’ sa më shpejt që të jetë e mundur”, u shpreh fillimisht mjeshtri i futbollit gjirokastrit, Sefedin Braho.

VLLAZNIA- Sipas kalendarit, ishte që të shtunën Luftëtari do të priste skuadrën shkodrane në shtëpi, por federata i ka shtyrë aktivitetet e kësaj fundjave. Vllaznia është një tjetër rival i vështirë për bluzinjtë në luftën për mbijetesë. Për këtë ndeshje Braho u shpreh se Luftëtari e ka detyrim fitoren, ndaj kërkohet përqendrim nga ekipi dhe të shprehen sa më mirë në fushën e lojës.

Teuta-Luftetari

“Për Luftëtarin është detyrim fitorja me Vllazninë dhe për të arritur këtë, kërkohet përqendrim dhe motiv në fushë nga ana e lojtarëve. Luftëtari i ndeshjeve të fundit ka treguar cilësi në lojë. Por cilësitë nuk mjaftojnë kur mungojnë rezultatet. Unë shpreh bindjen se skuadra do shprehet mirë në fushë dhe do gjejë fitoren e pritshme nga tifozëria gjirokastrite”, përfundoi Sefedin Braho.

PËRGATITJET- Luftëtari vijon përgatitjet për ndeshjen e radhës në “Fushën e Vjetër” me qëllim rikthimin te fitorja e munguar prej javësh. Në seancën e djeshme mungonte Kliti Qako, për arsye familjare, ndërsa Enes Isufi dhe Eraldo Hyseni kanë vijuar edhe dje përgatitjet e diferencuara nga grupi. Aurel Demo, edhe pse ka hyrë në javën e terapisë intensive, pritet të mos jetë pjesë e formacionit antiVllazni.

 Tomor Shehu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"