Luan vitin e tretë radhazi në Durrës, Todorovski i jep zemër Teutës: S’dalim pa trofe këtë sezon!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2021 | 14:22

Luan vitin e tretë radhazi në Durrës, Todorovski i jep zemër Teutës: S’dalim pa trofe këtë sezon!

Mbrojtësi i Teutës, Bllagoja Todorovski, edhe pse 36 vjeç, vazhdon të ketë një rendiment të lartë në skuadrën durrsake, duke luajtur me fanellën e “djemve të detit” sezonin e tretë radhazi. Lojtari nga Maqedonia e Veriut ka fituar gjithçka me Teutën, por është i bindur se edhe këtë sezon, ekipi nuk do të dalë pa trofe. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi beson te kalimi i turit ndaj Korabit në Kupë, por gjithashtu te një fitore kundër Skënderbeut në kampionat.

TODOROVSKI

Bllagoja, të mërkurën luani ndeshjen e kthimit për Kupën e Shqipërisë ndaj Korabit. Prisni një tjetër fitore pas asaj në Peshkopi?

Teuta këtë sezon është ndërtuar për të fituar në çdo ndeshje, pavarësisht se deri më tani nuk kemi marrë pikët që dëshirojmë në kampionat. Ndeshja e Kupës me Korabin është një takim që duhet fituar patjetër, pasi kjo do të na jap një gjendje psikologjike më të mirë për vazhdimësinë në kampionat. Është shumë e rëndësishme që në këtë fazë të kampionatit të jemi në formën tonë më të mirë.

A mund të themi se këtë sezon Kupa do të jetë objektiv madhor për Teutën, krahas synimit për të mbrojtur titullin?

Kupa është një arsye më tepër dhe një kënaqësi e madhe. Ashtu sikurse çdo ekip që ka pretendime, edhe ne kemi të njëjtën dëshirë, të fitojmë trofe. Do të përballemi me ekipe të mira, që i respektojmë maksimalisht. Frikë nuk kemi nga asnjë skuadër, do të përballemi denjësisht me këdo për t’i shkuar deri në fund Kupës.

Në fundjavë luani ndaj Skënderbeut për kampionat. Është momenti për të bërë kthesën pas asaj humbjeje në Laç?

Normalisht që na pret një ndeshje e vështirë. Edhe ne, edhe Skënderbeu i duam tri pikët. Kemi ditë që po stërvitemi dhe po vlerësojmë maksimalisht këtë takim, por më parë duhet të kalojmë me sukses Korabin. Skënderbeu është skuadër që pavarësisht se nuk ka bërë mirë në këtë fillim kampionati, ka lojtarë që japin maksimumin në fushë.

TODOROVSKI 2

Skënderbeu vjen në këtë takim pas fitores së parë në kampionat ndaj Kukësit…

Unë jam i bindur që ekipi ka forcën, kurajën dhe shpirtin e garës për t’u paraqitur në fushë sa më mirë të jetë e mundur. Ne e dimë që kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë. Jemi të përgatitur dhe duke parë angazhimin që çunat kanë në stërvitje, do të kthehemi te fitorja.

Aktualisht ndodheni në vendin e tretë. Deri ku mund të shkojë Teuta këtë sezon?

Objektivi ynë është të mbrojmë titullin, pasi me kontigjentin që kemi në dispozicion, duhet ta bëjmë një gjë të tillë. Por, nuk duhet lënë pas as Kupa e Shqipërisë. Është një mundësi e mirë për të kapur më shpejt Europën, por ka edhe vlera, sepse fiton një trofe.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"