Luajti për herë të parë në Superiore, mesfushori edhe një sezon te Egnatia: Do të jemi ndryshe!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2022 | 11:08

Luajti për herë të parë në Superiore, mesfushori edhe një sezon te Egnatia: Do të jemi ndryshe!

E nisi me moshat te Shkumbini i Peqinit, por pa i mbushur 18 vite, një njohje e vjetër e futbollit peqinas, Gugash Magani, duke e vlerësuar talentin e tij, do ta merrte atë në radhët e Besës.

Lila5

Gjatë dy sezoneve që luajti me fanellën verdhezi, Bledar Lila u rrit shpejt, çka solli interesin e Egnatias me të cilën tashmë ai mbylli sezonin e parë në Superiore.

Duke pasur një kontratë afatgjatë dhe me sezonin e ri që do të jetë pjesë e rrogozhinasve, ky fakt e motivon më shumë:

“Kategoria e parë me një emër të madh si Besa më shërbeu shumë të fitoja përvojë dhe të rritesha ndeshje pas ndeshjeje.

Kalimi në Kategorinë Superiore me Egnatian ishte hapi im më i madh në karrierë dhe u mundova gjatë gjithë sezonit që sa herë m’u dha mundësia të hyja në fushë të jepja maksimumin tim.

Natyrisht që mungesa e përvojës në një kampionat si ai i Superiores bëri që jo gjithmonë të isha në paraqitjet që dëshiroja unë dhe trajneri.

Nga ana tjetër, një kampionat i tërë duke luajtur përballë emrave si Partizani, Vllaznia, Tirana e të tjera me gjithë suksesin e gabimet ishte një përvojë mjaft e vlefshme për mua.

Tashmë jam gati për të startuar për sezonin e ri me një dëshirë dhe oreks akoma më të madh se sezonin e kaluar për të fituar besimin e trajnerit të ri dhe të marr sa më shumë minuta dhe të jap kontributin tim që kampionatin e ri të shihni një tjetër Egnatia.

Ndryshe nga sezoni i kaluar, unë besoj se me përforcimet që do bëjë ekipi nuk do të ishte e paarritshme që dhe Egnatia duke krijuar traditë si Laçi apo Kukësi të synonte vendet e kreut të tabelës”, u shpreh Lila.

FERIZ FERIZAJ – PANOERAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"