“Lojtarët e mi do i donte edhe Superiorja”, krenohet Abazaj: Me këtë ekip, s’na mund kush

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2020 | 10:42

“Lojtarët e mi do i donte edhe Superiorja”, krenohet Abazaj: Me këtë ekip, s’na mund kush

Ardian Abazaj është krenar për Pogradecin. Mbylljen e dy fazave të para e quan sukses dhe nuk ngurron që të vlerësojë lojtarët për gjithçka kanë bërë. Kreu i bën pretendentët kryesorë për t’u ngjitur dhe trajneri beson se me këtë ritëm, misioni do të realizohet.Ardian Abazaj

“Ruajtja e kreut pas dy fazash mund të quhet si sukses. Edhe pse e nisëm jo fort mirë sezonin, gjithçka ndryshoi me kalimin e javëve. U rritëm në çdo drejtim. Me bindje të plotë mund të them se çelësi i kësaj arritjeje vjen prej punës, angazhimit, seriozitetit të këtyre djemve dhe mbështetjes financiare që bashkia na ka dhënë. Në këto kushte, suksesi gjithnjë është i garantuar”, tha fillimisht tekniku i liqenorëve.

Ai u ndal më konkretisht tek analizimi i lojtarëve, ndërsa tha: “Kam futbollistë që bëjnë diferencën në këtë kategori, por jo vetëm. Edhe pse nuk dua të përmend emra, janë elementë që edhe Superiorja do t’i donte. Madje disa prej tyre si Jahaj, Shyti, Liçkollari, Shkullaku, Dramolli, Pura edhe kanë luajtur në elitë. Unë do të veçoj edhe brezin e ri, që janë mjaft të talentuar.

Ky grup funksionon, pasi është rritur thuajse prej disa vitesh bashkë. Kush e ka bërë më mirë detyrën nga repartet? Është e vështirë të bësh dallime. Kemi shënuar 30 gola dhe kjo tregon se sulmi është nga më të mirët. Alillari është golashënues me 11 gola, ndërkohë që kemi pësuar 15 gola, thuajse më pak nga të gjithë. Abazaj222

Kemi mbrojtjen më të mirë, por e gjitha kjo vjen edhe për pasojë se mesfusha jonë është më e mira. Dhe të kesh mesfushorë si Jahaj, Shyti, Liçkollari dhe Shkullaku, besoj se je më i miri”.

Në mbyllje u ndal te faza e 3-të, e cila do të japë edhe verdiket sezonale. “Të jem i sinqertë, frikën ia kam vetëm ekipit të Pogradecit. Edhe mund të mundemi në ndonjë ndeshje, por ju siguroj se kjo nuk do të ndodhë. Nuk shoh asnjë skuadër që është më lart se ne. I kemi mundur të gjitha këto ekipe si në fushën tonë, ashtu edhe në transfertë gjatë fazave të shkuara. Tani duhet të shohim me shumë guxim përpara, duke treguar vlerat në vazhdimësi”, përfundoi Abazaj.

Romeo Xinxifi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"