“Lobi” shkodran gati ta ngjisë Besën në Superiore, Tafili: Këtu gjeta pak Vllazni, do t’ia dalim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2020 | 23:40

“Lobi” shkodran gati ta ngjisë Besën në Superiore, Tafili: Këtu gjeta pak Vllazni, do t’ia dalim

Qëkurse në krye të Besës erdhi Nexhat Bizhdili, hapur u pa një admirim e preferencë për futbollistët shkodranë. Të paharrueshëm janë emra si Vioresin Sinani, Elvis Kraja apo Amarildo Belisha, pa folur për lojtarë të tjerë të rinj në moshë.

Besa MIQESORE LOGO

Kjo traditë dhe ky besim i presidentit Bizhdili te shkolla kuqeblu vijoi edhe sezonin e kaluar, kur në Kavajë erdhën Egzon Shimaj apo Uheid Hoxha. I pari vazhdon të jetë pjesë e verdhezinjve, ndërsa i dyti u largua. As merkatoja e këtij sezoni nuk mund të bënte përjashtim, teksa janë afruar Alsid Tafili dhe Armenis Kukaj, të dy futbollistë me shumë përvojë.

Në këtë mënyrë te Besa u formua “lobi” shkodran, i cili pritet të ketë një peshë jo të vogël në objektivin e shumëpritur “Superiore”. Në të gjitha miqësoret e zhvilluara deri më tani, të tre ambasadorët e Vllaznisë, jo vetëm kanë luajtur titullarë, por mbeten ndër pikat kyçe të lojës së skuadrës së Ndriçim Kashamit.

Besa Kavaje Shkodrane

NGJASHMËRITË – Alsid Tafili mbetet “kapiteni” i kësaj tresheje, kjo falë CV-së së pasur me disa klube brenda e jashtë Shqipërisë. I pyetur përse Besa këtë sezon preferoi 3 shkodranë dhe çfarë ndikimi ka kjo te loja verdhezi, 33-vjeçari për “Panorama Sport” zbulon një mori pikash të përbashkëta në stilin e lojës, taktikën dhe mbi të gjitha traditën e dy klubeve.

“Ata që njohin historinë, e dinë se dy klubet më të vjetra në Shqipëri mbeten Vllaznia e Besa, pavarësisht datave të themelimit të klubeve të tjera, ku gjen çudira. Përtej kësaj, kushdo që ka parë Vllazninë duke luajtur, kupton se shkollat e trajnimit të Vllaznisë e Besës janë thuajse identike. Të dyja klubet kanë futboll teknik, me mendim dhe nuk preferojnë lojën e fortë mbrojtëse.

Të dy promovojnë lojtarët e rinj dhe i mbështesin ata. Janë këto dhe të tjera gjëra të përbashkëta që sollën OK-in tim dhe të shokëve për të pranuar ftesën e Besës. Mënyra se si luan skuadra kavajase edhe sot na përshtatet aq shumë sa vetëm fanella na dallon që nuk jemi Vllaznia. Besojmë te loja teknike me pasime të shumta, nuk mbrohemi me 6-7 lojtarë siç bëjnë disa, por të gjithë duan të luajnë në sulm. Thjesht ndihemi mjaft mirë te Besa”, u shpreh fillimisht mesfushori.

OBJEKTIVAT – Tafili flet edhe për situatën në kampin verdhezi dhe pritshmëritë që kanë për këtë edicion. “Jemi stërvitur fort, me dëshirë dhe fakti që kemi pasur shumë pak dëmtime, më jep të drejtë. Besa është plotësisht e gatshme që sot të startojë kampionatin, megjithëse e nisim me një transfertë mjaft të vështirë në Lushnjë. Lagunarët kanë gjithë përvojën dhe ambicien njësoj si Besa. Për këtë arsye së pari ne, ‘lobi’ shkodran, siç e cituar ju, jemi koshientë se duhet të japim maksimumin tonë si kusht për të synuar rezultat pozitiv.

TAFILI

Që nga dje ekipi do të stërvitet sikur me Lushnjën të luajmë këtë fundjavë. Nuk kemi asnjë dëmtim dhe grupi është i plotë. Tani na mbetet vetëm të dëshmojmë ambicien tonë që në javën e parë. E di se do të jetë një ‘luftë’ ku na presin ‘beteja’ jo të lehta, por fundja askush nuk shkon në ‘luftë’ për t’u ‘vrarë’, por për të fituar. Në do t’i marrin me radhë, që në fund ta fitojmë ‘luftën’ për rikthim në Superiore. Ne, lobi shkodran, do të bëjmë maksimumin që falë dhe ndihmës tonë gjërat të ecin siç i kemi parashikuar”, përfundoi 33-vjeçari.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"