Lila i bëri dhuratë, prifti i Janinës pasi e fali: Një shembull i pendesës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2017 | 13:41

Lila i bëri dhuratë, prifti i Janinës pasi e fali: Një shembull i pendesës

Pas videos, Lilës nuk i mjaftoi as ndjesa e kërkuar në rrjetet sociale dhe me të mbërritur në Greqi ditë më parë, ka vendosur me drejtuesit e PAS Janinës që të kërkonin një takim me vetë peshkopin Maksimus. Takimi u pranua dhe u zhvillua paraditen e djeshme mes peshkopit dhe futbollistit të Kombëtares, i cili ka qenë i shoqëruar nga avokati i tij, Jorgos Vitas.

Lila - Prifti

TAKIMI

Dje, mesfushori kuqezi ka kërkuar ndjesë për çfarë ka thënë në videon tallëse dhe ajo është pranuar. Lojtari është përballur me personin, të cilin e ka atakuar gjatë videos dhe ka marrë pranimin e ndjesës nga ai vetë. Mediat greke kanë bërë me dije se mesfushori shqiptar i ka bërë mitropolitit si dhuratë një shishe të veçantë me verë dhe në këmbim ka marrë dy libra. Dhurata simbolike dhe shumë kuptimplota në shenjë respekti të ndërsjelltë.

FUTBOLLISTI

Një fjalë të shkurtër në këtë takim e ka mbajtur edhe vetë mesfushori i Kombëtares shqiptare për atë që ka thënë në këtë video. Andi Lila është shprehur se ndihet më mirë pas atij takimi. “Kërkova të takohem me një personalitet të rëndësishëm për t’ju kërkuar personalisht ndjesë për gjithçka që ju ka prekur. Ishte java më e vështirë e jetës sime, por pas këtij takimi ndihem shumë herë më mirë”, mësohet të jetë shprehur Lila në takim, siç raporton “multinews.gr”, apo edhe media të tjera greke.

Gjithashtu, mesfushori i Kombëtares ka bërë edhe një status në rrjetin social, ku ka postuar një foto gjatë takimit me priftin. “Duhet të jesh një njeri i fortë për të kërkuar falje dhe akoma më i fortë ai që fal!”, ka shkruar Lila në anglisht dhe shqip.

AVOKATI

I pranishëm në këtë takim ka qenë edhe avokati i futbollistit. Ai gjithashtu ka bërë një koment në rrjetet sociale, siç raportojnë mediat greke. Me anë të një komenti të shkurtër, avokati është shprehur se Lila ka vuajtur më shumë sesa meritonte në lidhje me të gjithë këtë ngjarje. “Lila bëri një gabim, për të cilin pagoi më shumë sesa duhet. Ai pati mirësjelljen për të kërkuar ndjesë. Kisha të mëson dashurinë”, u shpreh avokati i futbollistit.

Mitropoliti: Lila, shembull për pendesën

Vetë mitropoliti i Janinës, Papajanis, është shprehur se forca për të pranuar një faj dhe kurajë për të kërkuar ndjesë, duhen vlerësuar, pavarësisht çdo gabimi. Ky prift ishte personi në qendër të talljes dhe ironisë së mesfushorit gjatë video-skandalit, por ka hedhur gjithçka mbas krahëve. Në takimin e djeshëm, ai ka mirëkuptuar ndjesën e kërkuar nga futbollisti i Kombëtares shqiptare të futbollit dhe ka sheshuar çdo diskutim të mëtejshëm në lidhje me këtë ngjarje.

“Është shumë mirë kur ke kurajën dhe forcën për të ardhur këtu dhe për të shprehur pendesën. Është mirë të shprehësh pendesën dhe të kërkosh falje. Më erdhi mirë që ju më rrëfyet gabimin tuaj. Ne jemi fqinj me shqiptarët dhe kemi një rrugë të gjatë të përbashkët dhe shpresojmë që të kemi një të ardhme pa dëmtuar njëri-tjetrin në çështjet e besimit dhe më gjerë.

Sot (dje) Lila duhet të jetë shembull sepse ka shumë ortodoks që ndikojnë në çështjet e besimit”, u shpreh peshkopi Maksimo Papajanis në përfundim të takimit me lojtarin e kombëtares shqiptare të futbollit, i shoqëruar nga avokati i tij.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"