Lika: Kemi lojtarë cilësore, ndaj Kukësit do të luajmë futboll ofensiv

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2017 | 9:43

Lika: Kemi lojtarë cilësore, ndaj Kukësit do të luajmë futboll ofensiv

Një rezultat pozitiv ndaj skuadrës kampione në fuqi, Kukësit, do t’i jepte Luftëtarit një moral të lartë për vazhdimësinë në kampionat. Sot, trajneri Hasan Lika debuton në pankinën bluzi dhe kërkon që ta nisë me një fitore. Të përqendruar për të marrë maksimumin e mundshëm, të besuarit e Likës kanë mbyllur përgatitjet anti-Kukës me seancën e orës 14:00 (në këtë orar luhet edhe takimi sotëm).

lika hasan

Në konferencën për shtyp, Lika foli me optimizëm për situatën në skuadër, teksa beson se Luftëtari do të arrijë të marrë tri pikë.

“Kampionati është i gjatë dhe i vështirë, ndaj na duhet të luajmë mirë përballë çdo kundërshtari. Lojtarët duhet të japin maksimumin. Do të mundohemi që gjërat pozitive që kemi t’i çojmë për mirë përpara. Konstatoj se kam një grup lojtarësh të mirë, të predispozuar për të dëshmuar se Luftëtari i ka potencialet për të qenë më shumë se dinjitoz.

Kemi punuar në këto pak ditë për përmirësimin e lojës. Do të hyjmë në fushë për të bërë një lojë grupi, duke shkuar te rezultati pozitiv. Mundësitë janë, pavarësisht shqetësimeve të vogla të shfaqura në ditët e fundit. Në futboll gjërat ndryshojnë me shpejtësi dhe kësisoj Luftëtari ndaj Kukësit do të jetë ofensiv dhe jo mbrojtës, pasi vetëm kështu do të synojmë rezultatin pozitiv”, deklaroi fillimisht.

TITULLARËT

Të ndërgjegjshëm se Kukësi është kockë e fortë për t’u kapërdirë, bluzinjtë nën drejtimin e Hasan Likës edhe dje janë ndalur në teren, teksa vëmendje të posaçme i kanë kushtuar anës taktike. Sa i përket formacionit titullar, nuk pritet të sjellë ndonjë risi. Rikuperimi i Zugoros, kondicioni i mirë fizik i gjithë të tjerëve, për Likën do të thotë më pak “dhimbje koke” për ideimin e 11-shes anti-Kukës.

“Luftëtari është skuadër me lojtarë cilësorë të gatshëm për të dhënë më të mirën përballë çdo kundërshtari. Nuk mendoj se do të ketë ndryshim emrash në formacion, të kushtëzuara këto me gjendjen fizike të lojtarëve”, ka përfunduar trajneri i Luftëtarit.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"