Lideri i Besës: Presim që golat të na i bëjë trajneri nga stoli, jemi si lopa që derdh qumështin e saj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2021 | 22:37

Lideri i Besës: Presim që golat të na i bëjë trajneri nga stoli, jemi si lopa që derdh qumështin e saj

Besa ka pësuar humbjen e parë në shtë pi këtë sezon. Ka qenë Apolonia që ia shkaktoi, përkundër gjithë besimit e sigurisë së verdhezinjve për fitore. Të shohësh se si kavajasit kalojnë nga njëri rast i humbur te tjetri, për Alsid Tafilin bëhet e pafalshme. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori skanon me detaje atë që po ndodh me ekipin dhe gjerësisht ndalet te finalizimi.

tafili

“Të shpërdorosh raste nga njëri te tjetri bëhet e pafalshme. Po dënojmë veten dhe po i themi kundërshtarit: ‘Merre ti fitoren, se unë nuk e dua…’. Disa përballje pas Korabit, Burrelit, por edhe Pogradecit, duket sikur fitoret ia lëmë në dorë kundërshtarit. Luajmë shumë mirë, dominojmë dhe krijojmë raste flagrante e me sa duket presim që golat t’i bëjë trajneri Bubeqi nga stoli.

Kështu ndodhi edhe me Apoloninë. Pa zbehur aspak meritat e fierakëve, jua them me bindje se ka qenë kundërshtari më i lehtë me të cilin jemi ndeshur deri tani. Gjatë gjithë pjesës së parë kemi luajtur thuajse në zonën fierake dhe kemi goditur pa fund drejt kuadratit të portierit mik. Madje, patëm aq raste sa e përsëris, duhet vetëm ta shtynim topin në rrjetë”, tha fillimisht shkodrani.

FINALIZIMI – Nuk janë vetëm Canka e Hoxha që kanë shpërdoruar. Veç dy sulmuesve kryesorë, mundësi goli kanë pasur edhe lojtarë të tjerë. Për mesfushorin kjo dëshmon forcë, paçka se pikët mungojnë. “Vështirë të gjesh ekip që portën e godet me disa futbollistë, po përmend këtu Cankën, Hoxhën, Hoxhajn, Zekollin, Muçajn, Zeqirin apo Meçjen. Të kesh këtë avantazh me të tjerët e mos ta shfrytëzosh, nuk di ç’të them?! Bëmë të kundërtën dhe kjo vërtet më ka mërzitur shumë. Ekipet e tjera mezi arrijnë të krijojnë 2-3 raste, ndërsa ne si ajo ‘lopa’ që derdh me shkelm qumështin e saj.

Nuk besoj se na kërkohet ndonjë gjë e madhe, pasi nuk çalojmë në lojë asnjëherë. Gjykoj se duhet të punojmë më shumë në aspektin psikologjik. Diku nga nxitimi për të shënuar, diku vonesa në goditje, diku nënvlerësimi i mundësisë së sigurt të shënimit e diku nga dëshira që prevalon mbi altruizmin. E megjithatë, janë probleme që besoj se nuk do jetë e vështirë të riparohen. Ajo që nuk riparohet dot është të luajturit dhe prodhimi i lojës. Këtë Besa e bën më mirë se kushdo, ndaj s’kemi pse vëmë alarmin, thjesht të jemi më të qetë, më të përgjegjshëm duke mos çuar dëm djersën e shokëve”, përfundon Tafili.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"