Lici: Është harruar ajo që ndodhi vitin e kaluar, Vllaznia e eliminon Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2017 | 15:04

Lici: Është harruar ajo që ndodhi vitin e kaluar, Vllaznia e eliminon Tiranën

Për Suad Licin, ish-futbollistin e Tiranës dhe Vllaznisë, klasikja e futbollit shqiptar përjetohet ndryshe, për shkak se ka veshur fanellën e dy ekipeve. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Lici shprehet se ndeshja e sezonit të shkuar, kur bardheblutë ranë nga Kategoria Superiore, është harruar dhe sot dy ekipet do të kërkojnë kualifikimin në Kupë.

suad lici

“Mendoj se kjo përballje nuk ka të bëjë fare me atë të fundit të sezonit që kaloi. Aty u luajt për jetë a vdekje për të dyja skuadrat. Një eliminim në Kupë nuk është njëlloj si të biesh nga kategoria. Personalisht e shikoj si një nga përballjet klasike të futbollit tonë. Në çfarëdo lloj pozitash që të jenë këto dy skuadra, sërish është një takim që do të quhet përherë derbi.

Unë kam kaluar një periudhë të bukur me ekipin e Tiranës dhe kam mbresa shumë të mira nga kjo skuadër. Ajo që ngjau një sezon më parë me këtë skuadër duke rënë nga kategoria, nuk ia ul vlerat, të paktën duke u bazuar te ajo që ka treguar deri më tani”, ka thënë Lici.

NDESHJA

Megjithatë Lici mendon se do të jenë shkodranët ata që do të fitojnë në ndeshjen e sotme. “E shikoj si një përballje të fortë për kuqeblutë, por pa asnjë dyshim, jam optimist se Vllaznia do të arrijë të sigurojë një rezultat pozitiv që në takimin e parë dhe të kërkojë kualifikimin për më tej. Tirana ka treguar dhe tregon përherë një karakter të lartë në fushën e lojës përballë çdo ekipi që luan dhe këtë do të kërkojë që të bëjë edhe në këtë përballje.

Megjithatë, dua të them se një gjë të tillë duhet që ta bëjnë edhe djemtë shkodranë. Atë shpirt gare që kanë treguar në atë takim të fundit të sezonit, atë duhet të tregojnë sërish. E shikoj si një derbi të vazhdueshëm dhe aspak si një ndeshje për hakmarrje. Shpresoj që të shikojmë një takim të bukur”, ka thënë Lici.

ECURIA E VLLAZNISË

Ish-mesfushori nuk i ka kursyer kritikat në lidhje me ecurinë e kuqebluve në këtë sezon, e cila nuk ka qenë aspak e mirë. “E kam theksuar edhe herë të tjera, që këtyre djemve, të paktën në aspektin financiar, nuk po u mungon asgjë. Por, ajo që sërish shikoj edhe me ardhjen e teknikut të ri, është se këtyre djemve u mungon shpirti i garës. Ata nuk tregojnë grintë në fushën e lojës dhe kjo është shumë domethënëse. Vijoj që të jem i mendimit se kjo skuadër është ndërtuar keq që në fillim.

Janë afruar shumë lojtarë në mesfushë dhe kanë mbetur të zbuluar në mbrojtje e sulm. Megjithatë, këta djem duhet që nga takimi në takim, të kalojnë ngërçin dhe të luajnë më me shpirt, në mënyrë që të fillojnë ngjitjen në tabelën e klasifikimit. Shpresoj që këto rezultate të fundit të jenë një shtysë edhe për takimet e ardhshme. Me marrjen e rezultateve, kthehet edhe besimi i tyre. Por, këta duhet të japin shumë për të arritur një gjë të tillë,” vazhdoi Lici.

PROPOZIMI

Në fund të deklaratës së tij, Lici ka theksuar edhe faktin se kryebashkiakja Ademi i ka ofruar një post në ekip, të cilin e ka refuzuar. “Kryebashkiakja e Shkodrës, që dua edhe ta falënderoj, më ka afruar një post drejtues tek ekipi i Vllaznisë. Ajo ka qenë shpeshherë e shqetësuar për situatën dhe ka afruar njerëz të ndryshëm të futbollit për të marrë mendime.

Mua personalisht më ka ftuar dhe jemi takuar në zyrë, ku më ka afruar një post. Megjithatë, unë, pavarësisht dëshirës për të kontribuar për Vllazninë, i thashë “jo” asaj për shumë arsye sepse e kisha të pamundur. Ndoshta në të ardhmen gjërat edhe mund të ndryshojnë”, ka përfunduar Lici.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"