Libër për suksesin me Shqipërinë, De Biazi: Më mungon jeta në Tiranë e Durrës, Dukës i jap notën më të lartë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2020 | 20:46

Libër për suksesin me Shqipërinë, De Biazi: Më mungon jeta në Tiranë e Durrës, Dukës i jap notën më të lartë

Xhani De Biazi ndien nostalgji për kohën kur drejtoi kombëtaren e Shqipërisë në vitet 2011-2017, periudhë për të cilën ai po shkruan dhe një libër.

De Biazi
Në një intervistë për “Top Channel”, ish-trajneri italian tregon se i mungon jeta në Durrës dhe Tiranë kur grumbullohej skuadra kombëtare. Meritën kryesore për pjesëmarrjen e Shqipërisë në EURO 2016, De Biazi ia dedikon presidentit të FSHF-së Armand Duka.

“Kualifikimi për në EURO 2016 – Notën më të lartë ja jap presidentit, i cili besoi tek projekti dhe e çoi përpara edhe pas 2-vjecarit tim të parë. Kjo gjë nuk ishte e thjeshtë pasi edhe mund ta ndërpriste, por me shumë mundësi nuhati se do të dilte diçka e mirë. Por edhe këto gjëra do t’i gjeni në libër. Më pas rritja konstante e skuadrës në aspektin psikologjik në fillim dhe më shumë se tek këmbët apo tek kualiteti teknik. Në faktin që besuam që herët a vonë mund të arrinim në një objektiv të rëndësishëm. Ky mendoj që është një aspekt shumë i mirë që e përsëris mund të jetë një shembull për të gjithë të rinjtë në çdo fushë të jetës jo vetëm në sport dhe në futboll. Të kesh brenda vetes një objektiv është shumë e rëndësishme.
shqiperia euro 2016

Largimi nga kombëtarja – Nga njëra anë të largohesh në mes të një rruge të nisur, aq më tepër heqja dorë nga një situatë si ajo shqiptarja për mua, ku unë ndihesha në shtëpi dhe ndihesha i dashur nga tifozët dhe njerëzit në përgjithësi, nuk ishte e thjeshtë. Ishte si të zbrisja nga parajsa në tokë. Por, ishte një moment që isha i detyruar të tërhiqesha. Në atë moment ndjeva që kishte mbaruar koha ime me atë grup djemsh me atë kombëtare. Nga ana tjetër do të doja t’i jepja mundësinë trajnerit të ri që do të vinte në vendin tim që të kishte në dispozicion 4 ndeshje eliminatore për të njohur skuadrën dhe nga aty për të nisur diçka të re me një avantazh krahasuar me kohën kur e mora unë ekipin. Ishte një grup djemsh që qëndronin shumë mirë sëbashku dhe që kishin kualitet. Kushdo të ishte mund të implementonte idetë e tij lehtësisht. Edhe këshillat e mija që u përpoqa t’i jap Panuçit do t’i gjeni në libër, i cili pas ca kohësh hoqi dorë nga ato. Por në përgjithësi unë mendoj që secili duhet të bëjë më të mirën ashtu si ai beson dhe për aq sa janë aftësitë e tij.

Çfarë i mungon De Biazit – Më mungon shumë fakti që nuk përgatis ndeshje, që nuk kam kontakte me djemt edhe pse dua të them që me ndonjërin kam ende kontakte. Por më mungon mënyra e jetesës e lidhur me ta për të punuar për ojektivin e rradhës që duhet të kishim. Më mugnon edhe jeta në Tiranë apo në Durrës kur ishim në grumbullim. Ishim një grup shumë i mirë dhe ky ishte çelësi i suksesit, nëse arrin të krijosh një grup miqsh që ndihesh mirë dhe kuptohesh, në fund është më e thjeshtë që të arrish objektiva”, u shpreh De Biazi për “Top Channel”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"