Ledion Ruço, 8 vite pritje për të luajtur në Superiore me Lushnjën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2017 | 13:00

Ledion Ruço, 8 vite pritje për të luajtur në Superiore me Lushnjën

Lushnjarët kanë mbyllur tri javë stërvitore nga përgatitjet e tyre në kuadër të sezonit të ri. Verdhejeshilët vijojnë të stërviten në fushën e stadiumit “Roza Haxhiu”, në pritje për të vijuar përgatitjet e tyre në kushte grumbullimi. Pothuajse të gjithë lojtarët kanë firmosur kontratat e tyre sezonale me Bashkinë e Lushnjës.

lushnja

Me verdhejeshilët do të jetë këtë sezon edhe një nga lojtarët më të mirë të viteve të fundit, i dalë nga shkollat vendase. Bëhet fjalë për mëngjarashin Ledion Ruço, që sot mbush 26 vjeç. Futbollisti i linjës së majtë ka luajtur në Superiore me Lushnjën pa mbushur 18 vjeç (debutoi më 18 prill 2009, Shkumbini-Lushnja 1-0). Tashmë do të luajë sezonin e katërt radhazi tek Lushnja pas aktivizimeve te Kamza, Naftëtari dhe Albpetroli.

“Jam i kënaqur që do të luaj në Superiore. Jam i angazhuar në stërvitje për të bërë më të mirën. Synoj të përgatitem mirë dhe të bëjmë një kampionat të mirë. Dëshira ime është të paraqitem sa më mirë dhe të kontribuoj për ekipin në nivele të larta ashtu siç bëra në fundin e sezonit të kaluar. Tani kam më shumë eksperiencë dhe kam shumë besim për një sezon të mirë”, – deklaroi dje Ruço për “Panorama Sport”.

Ndërkohë, në Lushnje ka nisur rikonstruksioni i stadiumit “Roza Haxhiu”. Bashkia kërkon të realizojë në kohë kushtet e vendosura nga sektori i licencimeve për elitën.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"