Ledio Beqja kërcënon: Të përqendruar për të marrë maksimumin, Teuta mban vendin e katërt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2023 | 13:20

Ledio Beqja kërcënon: Të përqendruar për të marrë maksimumin, Teuta mban vendin e katërt

Teuta kërkon Europën në stadiumin “Arena e Demave” në Tiranë ndaj Partizanit për të ruajtur vendin e katërt. Përballë është një rival që do titullin kampion, por besimi është i madh te “djemtë e detit” se do t’i marrin maksimumin kësaj ndeshjeje. Mesfushori Ledio Beqja në një intervistë për “Panorama Sport” në prag të takimit me Partizanin, analizon gjendjen e bregdetarëve dhe flet për pretendimet në këtë ndeshje.

ledio beqja

Partizani luan për titull, Teuta për të ruajtur vendin e katërt. Si e prisni këtë ndeshje?
Normalisht që e dimë rëndësinë e ndeshjes. Është një duel si gjithë të tjerët në këtë kampionat plot surpriza. Çunat duken në formë optimale, grupi është i plotë dhe jemi gati për lojë. Kështu që jemi të gatshëm, pavarësisht se e dimë shkallën e vështirësisë. Kemi besim tek ekipi ynë dhe shpresoj t’ia dalim me sukses.

Sa ju kanë kushtuar në këtë sezon gabimet me rivalë të lehtë në letër?
Të gjitha skuadrat kanë gabuar, pasi kampionati është shumë i fortë. Mendoj se i kemi përfunduar të gjitha gabimet këtë sezon dhe është momenti i finishit, ku duhet ta mbyllim me sukses. Nuk kemi presion, jemi të qetë. E thashë që në fillim se e dimë rëndësinë e ndeshjes. Nesër shpresojmë të bëjmë më të mirën në fushën e lojës.

Çfarë prisni nga vetja dhe ekipi në këto 90 minuta të fundit?
Ky ekip ka cilësi. E dimë të gjithë dhe jemi të përqendruar maksimalisht për të bërë sa më mirë në këtë fundkampionat. Futbolli është lojë kolektive dhe në një ekip çdo lojtar ka rëndësinë e tij. E vërtetë që në disa ndeshje kemi pasur mundësi të merrnim pikë, por na kanë prishur punë.

Besoni se do ta ruani vendin e katërt?
Shpresojmë të mbyllim vitin në vendin e katërt dhe realizimin e objektivave. Tifozët, presidenti, stafi dhe të gjithë e meritojnë këtë, e cila do të ishte qershia mbi tortë pas gjithë atyre sakrificave.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"