Latifi: Skënderbeu di si fitohen trofetë, nuk e mendoj Kosovën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2016 | 12:52

Latifi: Skënderbeu di si fitohen trofetë, nuk e mendoj Kosovën

Liridon Latifi mbetet gjithmonë i fokusuar te sfidat që ka përpara dhe këtë e tregon në çdo moment. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori i Skënderbeut tregon ndryshimet në ekip pas ndërrimit të trajnerit dhe largimit të shumë lojtarëve dhe vendos objektivat e radhës për sa i përket sezonit që nis me Superkupën.

largea_liridon-latifi-658x4081448040869

Veç të tjerash, pas “furtunës” dhe largimeve nga Kombëtarja Shqiptare, Latifi bën me dije se në mendje ka vetëm ndeshjen e radhës kundër Greqisë me fanellën kuq e zi.

Liridon, shumë ndryshime te Skënderbeu, por çfarë ka ndryshuar realisht në këtë ekip?

Po, është e vërtetë. Ka pasur shumë lëvizje te Skënderbeu këtë sezon si në hyrje edhe në dalje. Janë larguar futbollistë shumë cilësorë, por janë afruar edhe lojtarë po aq cilësorë në grup. Nuk është se po shoh ndonjë ndryshim të madh që duhet theksuar. Në përgjithësi ekipi po ecën mirë dhe normalisht jemi duke u konsoliduar me shokët e rinj.

Ndryshimet filluan nga trajneri. Ku ndryshojnë dhe ku ngjasojnë Josa me Agostinelin?

Janë dy stile të ndryshme të të bërit futboll dhe kjo është ajo që bie në sy nga fillimi i seancës stërvitore dhe i mënyrës së punës. Josa ishte trajneri që ka kërkuar shumë nga dita e parë deri te dita e fundit qarkullimin e topit dhe mbajtjen sa më gjatë të tij.

Agostineli nga ana tjetër është një “fanatik” i taktikës. Kërkon më shumë përqendrim për sa i përket anës defensive. Por pa dyshim të dy janë trajnerë që duan të fitojnë.

latifi

Si e shikon Latifi Skënderbeun e këtij sezoni?

E shikoj një ekip të fortë, me shumë ndryshime, por sërish shumë të fortë. Sikur çdo vit, Skënderbeu besoj se është ekipi më cilësor i kampionatit dhe pretendenti kryesor për të fituar titullin kampion.

Superkupa po afron. Është gati Skënderbeu për trofeun e parë?

Mendoj se kemi bërë një fazë përgatitore të mirë dhe besoj se do të jemi gati për të mërkurën kur do të luajmë ndeshjen e parë zyrtare të sezonit. Normalisht, sa herë bëhet fjalë për trofe, Skënderbeu është gjithmonë i gatshëm për të luftuar dhe për t’i fituar. Kundër Kukësit do të jetë një ndeshje e fortë, por kam besim se do ia dalim me sukses.

Cilat skuadra shihni si rivale në kampionat?

Nuk e di ta them me siguri pasi është ende shpejt dhe do të duhet të shohim një herë ekipet e tjera në fushë. Ndërsa mendoj se do të ketë sërish një betejë mes Skënderbeut dhe Partizanit për titullin kampion, ashtu sikundër ndodhi edhe vjet. Ky është mendimi im. Them se ekipet e tjera nuk janë të nivelit për të luftuar për kampionatin.

latifi

Keni një mendim për Partizanin e këtij sezoni?

Është një ekip që ka bërë ndeshje të mira në Europë. Ka ruajtur pjesën më të madhe të grupit dhe kjo është diçka pozitive. Prandaj mendoj që do të bëjë një paraqitje të mirë edhe në kampionat.

Katër lojtarë për një vend titullari. Ju tremb konkurrenca?

Asnjëherë nuk jam trembur nga konkurrenca, madje ajo më bën më të fortë. Besoj se do të jetë një garë në vetvete dhe gjithkush do të japë më të mirën e tij për ekipin. Jemi një grup i bashkuar.

latifi

Jemi në kulmin e debatit sa u takon lojtarëve që kanë luajtur me Kombëtaren e Shqipërisë dhe tani kanë zgjedhur Kosovën. Cili është pozicioni juaj?

Latifi është duke menduar vetëm për datën 28 gusht kur do të grumbullohet me Kombëtaren Shqiptare (U-21) për të përgatitur ndeshjen më të rëndësishme kundër Greqisë. Kjo është ajo që kam pasur gjithmonë në mendje.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"