Lamtumirë e hidhur për heronjtë e tripletës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2014 | 8:21

Lamtumirë e hidhur për heronjtë e tripletës

argentini1-480x320Pikët që ishin në lojë nuk i bënin punë as njërës prej skuadrave, pasi e kishin mbyllur kampionatin e tyre. Kievo Verona kishte siguruar një tjetër mbijetesë, ndërkohë që Interi mbylli një epokë, duke i dhënë lamtumirën Zanetit, Kambiasos, Militos dhe Samuelit. Për ta bërë mbrëmjen më interesante në fushë menduan “ish”-ët si Obina dhe Andreoli, ndërkohë që nga shkallët e stadiumit prezenca e Moratit fliste vetë.
Zgjedhjet – Korini i rreshtoi të tijtë me një skemë të çuditshme, 3-4-2-1. Ndërkohë që edhe Maxarri habiti jo pak me zgjedhjen që bëri. Trajneri vuri menjëherë në provë skemën e re që kishte në mendje për vitin e ardhshëm. Përveçse bëri rotacion masiv, rreshtoi mbrojtjen me katër lojtarë. Në fushë ra në sy prezenca e 7 argjentinasve, ndërsa në pankinë spikatën dy sulmuesit e rinj, Bonacoli dhe Polo.
I penduar – Kievo e nisi më mirë ndeshjen, pasi rrezikoi e para me anë të Paloskit, që preku traversën pas asistit të Bentivolios. Nga ana tjetër Bota ishte i vetmi nga Interi që mbajti në tension prapavijën kundërshtare. Me kalimin e minutave, në të 20-ën, D’Ambrozio dhe Alvarez impenjuan Skuicin. Pas këtyre episodeve vendësit reaguan me Radovanoviç. Ky i fundit përfitoi nga një pasim i dobët i Kovaçiçit dhe në të 30-ën minutë për pak sa nuk shënoi me një diagonale që u frenua nga shtylla. Pas kësaj drithërime, zikaltrit mblodhën veten duke marrë avantazhin. Në minutën e 41-të ishte Andreoli që shënoi për Interin. Mbrojtësi, duke respektuar të kaluarën, nuk festoi, madje ngriti dorën duke i kërkuar falje publikut, që për disa vite e ka mbështetur.
Përmbysja – Në fraksionin e dytë miqtë ulën ritmin dhe rrezikuan që ta mbyllnin ndeshjen me Taiderin dhe Ranokian. Kur të gjithë mendonin se kjo ndeshje do të ishte një nga ato ku të qeta, Euxhenio Korini “nxori lepurin nga cilindri”. Aktivizimi i një tjetër “ish”-i si Obina për Dainelin do të ishte ai i duhuri. Sulmuesi nigerian, i cili ka luajtur për Interin 2008-2011, ndëshkoi dy herë Karrizon me goditje nga distanca.
Fund – Në minutat e fundit të pranishmit në “Bentegodi” shijuan shfaqjen e fundit të katër “heronjve” zikaltër. Për Zanetin, Samuelin, Militon dhe Kambiason, ajo e djeshmja ishte hera e fundit me Interin. Ndërkohë që jo me pak vlerë ishte aktivizimi i të riut Bonacoli, i cili ka lindur dy vite pas debutimit të Zanetit me Interin.
Përgatiti: ALTIN VORPSI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"