LAJME SHKURT/ Merkato në Kategorinë e Dytë dhe të Tretë, ja situata te skuadrat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2021 | 21:49

LAJME SHKURT/ Merkato në Kategorinë e Dytë dhe të Tretë, ja situata te skuadrat

Lajme shkurt nga Kategoria e Dytë dhe e Tretë:

Devolli kategoria e dyte

LUFTËTARI

AF Luftëtari vazhdon prej ditësh përgatitjet për Kategorinë e Tretë. Skuadra është përforcuar edhe me Eldar Bathën, i cili aktivizohej më herët te Këlcyra. “Nuk mund t’u thosha ‘jo’ bluzinjve, edhe pse në inferiore. Jam i lumtur për rikthimin në ekipin e qytetit ku u linda dhe u rrita si lojtar. Eksperienca 4-vjeçare te Përmeti e Këlcyra më ka bërë më të fortë dhe më të pjekur. Shtyrja e garës na ka bërë mirë dhe mendoj se do ngjitemi”, tha për gazetën mesfushori 27- vjeçar. TOMOR SHEHU

BUTRINTI

Ka largime nga Butrinti. Portieri Sadik Basha dhe mbrojtësit Skerdi Matushi dhe Seldjon Zholi nuk do të jenë më pjesë e sarandjotëve. Ata kanë prishur kontratën me mirëkuptim dhe prej të shtunës po stërviten te AF Luftëtari. Nëse dy të parët do të mbeten pjesë e bluzinjve, i fundit ka menduar që të vijojë aventurën e tij te Labëria. Sakaq, skuadra e drejtuar prej trajnerit Milto Gurma vijon përgatitjet intensivë dhe është gati transfertën me Gramozin. TOMOR SHEHU

NAFTËTARI

Naftëtari është gati për rifillimin e Kategorisë së Dytë. Përgatitjet intensive dhe afrimet e bëra u kanë shtuar “urinë” kuçovarëve. Ata nuk kanë në plan që të dorëzohen në luftën për ngjitje, ndonëse gara është ashpërsuar. Klubi ka marrë në formë huazimi Enver Kovaçin dhe Rejdi Bubën nga Tomori, si edhe është bashkuar me grupin Romario Prifti nga Albpetroli. Ka pasur edhe largime, ndërsa konfirmohet “divorci” me Arbër Allkanjarin, i cili e ka mbyllur me futbollin. ARBEN ÇEPANI

DEVOLLI

Devolli po vazhdon në mënyrë sistematike përgatitjet për rifillimin e kampionatit. Edhe pse shtyrjet e vazhdueshme kanë prishur jo pak llogaritë me programin, skuadra ndihet gati. Pas Qeleshit dhe Mehmetit, në momentet e fundit është rikthyer Paolo Ivani. Lojtari polivalent do të jetë një forcë më shumë për të besuarit e Trifon Merakut. Klubi ka pasur në plan afrimin edhe të një mbrojtësi të majtë dhe një mesfushori me tipare sulmuese, por nuk ia doli. THANAS GJATA

TËRBUNI

Tërbuni ndihet gati. Miqësoret e zhvilluara japin garanci për vazhdimësinë. Më shumë se rezultatet, është loja ajo që bind më shumë. Për këtë merkato dimri janë zyrtarizuar emra si Samet Gjoka, Tedi Baholli, Elson Demaj, por deri ditën e djeshme ka pasur negociata edhe me Senad Lekajn. “Besoj se ekipi po kompletohet me lojtarë të vlefshëm dhe shpresojmë të fillojë kampionati së shpejti pasi që edhe ne si ekip jemi të gatshëm”, ka thënë trajneri Edmond Dalipi. DITMIR PEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"