Laçi “gradon” kapitenin e ri, shiritin për sezonin e ardhshëm do ta mbajë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2022 | 10:53

Laçi “gradon” kapitenin e ri, shiritin për sezonin e ardhshëm do ta mbajë…

Laçi i trajnerit, Shpëtim Duro, edhe pse nuk ka qenë aktiv në merkaton në hyrje, e kaloi me sukses provën e parë. Në miqësoren e zhvilluar në Pogradec mposhtën me përmbysje, 2-1, skuadrën e Gjilanit.

MAZREKAJ

Në këtë test te kurbinasit dolën në pah edhe disa risi, të cilat do të vihen në zbatim që nga dy ballafaqimet e para me malazezët e Iskrës në Ligën e Konferencës.

Mentor Mazrekaj, me sa duket, është piketuar si kapiteni i ri i Laçit.

Mesfushori kosovar ishte shiritmbajtësi në miqësoren e zhvilluar me Gjilanin.

Në pjesën e dytë trajneri Duro aktivizoi edhe disa prurje të reja, që kurbinasit po i monitorojnë me vëmendje. Nga prurjet e reja spikati Majkëll Babatunde.

Mesfushori nigerian është një emër i njohur në futbollin botëror, pasi ka luajtur me klube të mëdha, si dhe ka marrë pjesë edhe në Kupën e Botës me Nigerinë në 2014-ën.

Edhe pse bëhet fjalë për një lojtar me “CV” të pasur, kurbinasit nuk duan të nxitohen me Babatunden, pasi mesfushori ka një vit pa ekip. Ndaj, drejtuesit do ta shikojnë në detaje gjendjen e Babatundes dhe nëse binden për formën e tij, ai mund të konsiderohet si përforcim.

Nëse Babatunde bind, i bie që Laçi të plotësojë boshllëqe në mesfushë. Gjithashtu, nga të rinjtë që shikohen në provë te Laçi janë edhe Xhuljo Tabaku, Jon Vula, si dhe portieri Mateo Baçi. Sot Laçi luan miqësoren e dytë, ku përballë do të ketë kosovarët e Llapit, takim i cili do të zhvillohet në orën 18:00 në stadiumin e Strugës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"