Laçi e ka jetike sot kundër Kukësit, Vukiçeviç kërkon mbështetjen e tifozëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2022 | 10:42

Laçi e ka jetike sot kundër Kukësit, Vukiçeviç kërkon mbështetjen e tifozëve

Laçi pret sot Kukësin në orën 15:00, në një ndeshje që mund të cilësohet si jetike për vazhdimësinë në kampionat të kurbinasve.

FOTO. F Hazisllari

FOTO. F Hazisllari

Pas katër humbjeve radhazi, drejtuesit e klubit nuk mund të falin një tjetër hap fals, dhe kësisoj, sot të besuarit e trajnerit Dejan Vukiçeviç do të kërkojnë triumfin me çdo kusht.

Malazezi që drejton kurbinasit në sezonin e dytë radhazi është në një pozitë shumë të vështirë, pasi duket se po i përsëritet historia e kampionatit të kaluar, kur u largua pas pesë ndeshjesh prej rezultateve të dobëta.

Në kampionatin e kaluar Laçi kishte dy pikë pas pesë javësh, ndërsa tashmë ka tri, por gjithsesi është në vendin e parafundit. Trajneri pret që sot tifozët kurbinas të mbështesin ekipin në stadium, për të kaluar këtë moment të vështirë pas katër humbjeve me rezultatin identik 1-0.

Gjithsesi, kurbinasit do të kenë disa mungesa dhe të konfirmuara janë ato të mbrojtësit të djathtë, Marko Roganoviç, i cili ende nuk e ka kaluar dëmtimin, por gjithashtu të Albi Allës dhe Vasil Shkurtajt.

Dy afrimet e bujshme të merkatos së verës, që iu bashkuan ekipit vetëm në fund, kanë probleme fizike dhe shanset që të jenë sot në fushë janë thuajse zero.

Nga dëmtimet vijnë edhe mesfushorët titullarë si Serxho Ujka dhe Ariel Borisjuk, por që pritet të marrin minuta ndaj Kukësit dhe ndonjë prej tyre mund të jetë edhe titullar.

FUSHA – Tapeti i stadiumit të Laçit pritet të ketë një tjetër pamje në ditën e sotme kur do të luhet kundër Kukësit.

Prej rreth një muaji është bërë rimbjellja e barit dhe çdo gjë ka përfunduar brenda afateve, pasi rrezikohej që ndeshja të mos luhej në Laç.

Punëtorët e fushës kanë dhënë garanci dhe sot bari do të jetë në nivele optimale.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"