Laçi e do festë, Prenga: Ia dalim, na mundën me një penallti inekzistente

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2018 | 15:20

Laçi e do festë, Prenga: Ia dalim, na mundën me një penallti inekzistente

N ë Laç përgatiten për festë, pasi kanë shumë arsye për të besuar se mund të kalojnë një klub si Anorthosisi, me një superbuxhet. Skuadra e trajnerit Besnik Prenga është karikuar së tepërmi pas asaj ndeshjeje të parë në Larnaka, që u luajt pa praninë e tifozëve për shkak të dënimit të fushës së klubit qipriot.

Prenga

Prenga tashmë beson se me mbështetjen e fuqishme të tifozërisë kurbinase dhe dhënien e maksimumit nga lojtarët, Laçi do të kalojë më tej. “E rëndësishme është që të tregojmë atë lojë si në ndeshjen e parë në Qipro. Nëse lojtarët japin maksimumin, sigurisht që kemi shpresa për të arritur kualifikimin. Është një ndeshje ku kërkohet nga të gjithë që të japim 150%. Duke pasur përkrahjen e tifozëve, do të jetë një motiv më tepër për ne. Prania e tyre në këtë takim është jetike, pasi mund të jenë një shtysë e madhe drejt suksesit. Nëse plotësohen këta faktorë, me bindje them se nuk është misioni i pamundur kualifikimi ndaj Anorthosis”, deklaroi fillimisht Prenga për “Panorama Sport”.

Prenga55

Sipas trajnerit që ka punuar në Kroaci dhe kjo është eksperienca e tij e parë me një klub shqiptar, skuadra duhet të veprojë me shumë zgjuarsi në fushë, pasi përballë ka një ekip mjaft të fortë. “Sigurisht bëhet fjalë për një ekip me shumë eksperiencë dhe mbi të gjitha të fortë, që ka 14 lojtarë, të cilët shumica janë të huaj dhe madje janë pjesë edhe e Kombëtareve të vendeve të tyre. Tani ekipin qipriot e njohim më mirë dhe do të bëjmë gjithçka për të shënuar atë gol që na duhet për kualifikimin. Natyrshëm duhet të jemi të kujdesshëm. Kur luan brenda, duhet të sulmosh. Gjatë javës jemi stërvitur mirë dhe unë besoj shumë te djemtë. Duhet të jemi të përqendruar dhe të veprojmë me zgjuarsi”.

laci

ARBITRI Në ndeshjen e parë në Larnaka, Laçi u dënua nga një penallti e paqenë. Sipas Prengës, këtë e pranoi edhe vetë trajneri i Anorthosis. “Në ndeshjen e parë, përveçse patën edhe pak fat, qipriotët i ndihmoi edhe arbitri. Penalltia, që u dha kundër nesh, ishte për të qeshur. Pas ndeshjes e pranoi edhe trajneri i Anorthosisit. Bëhej fjalë për një rast që duhej akorduar faull për ne, pasi lojtari i tyre simuloi. Shpresoj që këtë herë të kemi një gjykim të drejtë në fushën tonë dhe të fitojë më i miri. Natyrisht, ne duhet të kemi edhe fatin me vete për të marrë atë që dëshirojmë”, përfundoi kreu i pankinës. Për mirditorin kjo është ndeshja e parë nën drejtimin e ekipit në fushën e Laçit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"