Kur edhe sulmi i frikshëm nuk mjafton, ja shifrat e çmendura te Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2021 | 18:27

Kur edhe sulmi i frikshëm nuk mjafton, ja shifrat e çmendura te Kukësi

Shifra të çuditshme, sulm të frikshëm, fitore dhe më pas humbje radhazi, por edhe çështje si Vesel Limaj, që pasi shfaqet kapiten, më pas dënohet, rikthehet në fushë, shënon dhe ulet në stol. Kukësi i këtij sezoni ka pasur oshilacione të mëdha, por fitorja e fundit ndaj Tiranës tregoi se ka një skuadër me kualitet dhe të paparashikueshme. “Panorama Sport” ju sjell disa nga pikantet e sezonit të verilindorëve dhe kuriozitete për ndeshjet ndaj Partizanit këtë kampionat.

Kukesi

* Kukësi ka po aq fitore sa Partizani i vendit të dytë (9), por është pesë pikë më pak se të kuqtë dhe pozicionohet i pesti në renditje.

* Verilindorët kanë pësuar 8 humbje në 19 javë kampionat, duke qenë skuadrat e katërt që merr kaq shumë disfata. Më keq se Kukësi kanë bërë vetëm skuadrat e vendeve të fundit: Apolonia, Skënderbeu, Bylisi.

* Skuadra kuksiane ka shënuar 26 gola në 19 ndeshje, po aq sa Vllaznia kryesuese dhe dy më pak se Partizani, që mban rekordin e deritanishëm të golavarazhit, me 28 të realizuar dhe vetëm 11 të pësuar.

* Agim Ibraimi dhe Patrik Eze janë golashënuesit më të mirë të Kukësit dhe njëherësh të kampionatit. I pari kryeson listën me 10 gola, ndërsa nigeriani ka realizuar 8 herë. Në të njëjtën kuotë është edhe sulmuesi i Vllaznisë, Ardit Hoxhaj.

* Klubi i hoqi Vesel Limajt në fillimin e këtij sezoni shiritin e kapitenit, duke ia dhënë Ibraimit. Më pas mesfushori u spostoi te ekipi U-21 për shkak se ai nuk pranonte të rinovonte marrëveshjen. Limaj u rikthye në skuadër protagonist dhe në debutimin e Josës në pankinë shënoi dy gola në Korçë, ku luajti në një rol të ri, duke qenë më pranë sulmit. Mirëpo, në ndeshjen e fundit ndaj Tiranës u ul në stol dhe pasi u aktivizua si zëvendësues, vulosi fitoren me supergol.

Kukesi stervitje

* Kukësi i ka humbur të dyja ndeshjet e këtij kampionati ndaj Partizanit, madje në fazën e dytë pësoi disfatën më të thellë në historinë e klubit në elitë, me shifrat 4-1 në “Elbasan Arena”.

* Kukësi është më efektiv gjatë ndeshjeve në 15 minutat e fundit të tyre. Nga 26 golat e deritanishëm, 34.6 % të tyre i ka realizuar në harkun kohor të minutave 75 deri në 90.

* Lojtari më i vjetër te Kukësi është kapiteni Agim Ibraimi (32 vjeç).

* Futbollisti më i ri që është aktivizuar me Kukësin këtë sezon është mesfushori Xheron Osma, vetëm 18 vjeç. Ai ka luajtur në 18 minutat e fundit të ndeshjes kundër Laçit (3-2) në transfertë më 09.01.2021.

SKERDILAID SULOZEQI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"