Kukësi “provim” në Laç, Hallaçi bën apel për… shënjestër: Shpërdorojmë, sot të mos dalim pa pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2023 | 9:46

Kukësi “provim” në Laç, Hallaçi bën apel për… shënjestër: Shpërdorojmë, sot të mos dalim pa pikë

Kukësi sfidon ditën e sotme Laçin në transfertë në orën 13:00, në një përballje që verilindorët do të kërkojnë të marrin pikë të vlefshme sa i përket qëndrimit në elitë. Collage Maker-06-Mar-2023-09-46-AM-4580

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Rraman Hallaçi vlerëson kundërshtarin, por ka besim se skuadra që ai drejton do të jetë në gjendje të japë maksimumin dhe të dalë me një rezultat pozitiv. Tekniku zbulon se po punojnë më shumë për të zgjidhur situatat para porte dhe ka besim se ndaj kurbinasve do të jenë efikasë. Në fund, edhe pse blutë janë ndër ekipet më të penalizuara sa i përket arbitrimit, Hallaçi kërkon që gabimet t’i gjejë tek ekipi i tij, duke theksuar se edhe arbitrat mund të gabojnë, ashtu siç e bëjnë edhe futbollistët.

Sfidoni Laçin në transfertë. Si e prisni këtë përballje?

Në çdo ndeshje ne kërkojmë të marrim maksimumin e pikëve. Deri më tani episodet kanë vendosur shumë takime, ndaj duhet kujdes në çdo hap, pasi nuk na mjafton vetëm loja e mirë që kemi zhvilluar. Laçi ka një skuadër me lojtarë të mirë dhe vlerësimi është maksimal ndaj tyre.

Jemi në një fazë kur bëhen edhe llogari, a do t’ju kënaqte një barazim në Laç?

Të jemi të sinqertë do të kërkojmë të mos dalim pa pikë nga kjo ndeshje dhe ky është objektivi në këtë përballje. Në Laç është kënaqësi të luash, pasi krijohet një ambient shumë i bukur për një lojë me luftë sportive.

Çfarë ju shqetëson më shumë para kësaj ndeshjeje?

Më shqetëson vetëm një gjë: për rastet që krijojmë gjatë ndeshjeve. Është momenti që mos të shpërdorojmë më para porte. Po punojmë shumë në stërvitje, sidomos me gjuajtje në portë me shumë alternativa.

Si mendoni ta zgjidhni problemin e golave, pasi prodhoni lojë, por nuk zgjidhni ndeshjen?

Shumë e vërtetë, skuadra po prodhon lojë shumë të mirë, po dominojmë me mbajtjen e topit dhe krijojmë shumë raste për gol. Kam besim që skuadra do të dijë të finalizojë në momentin e duhur dhe këtë e pres që në ndeshjen ndaj Laçit. Siç e thashë, pasi aty po punojmë dhe me shumë zgjidhje para porte.

Keni pasur probleme me gjykimin në ndeshjen e fundit në Kupë. Keni një apel për ta në këto momente?

Unë thjesht për arbitrat jap ndonjë mendim pas ndeshjes. Nuk kam asgjë me arbitrimin, çdo gjë është korrekte dhe gjyqtarët mund të gabojnë ashtu siç gabojnë edhe futbollistët. Nuk duhet ta shikojmë problemin tek arbitri, por të shohim gjërat tekniko-taktike dhe çfarë të përmirësojmë. Kjo është kryesorja, arbitrat t’i lëmë të qetë të bëjnë punën e tyre. Edhe ata kanë presionin e tyre gjatë një ndeshjeje, mbi të gjitha jemi njerëz.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"