Kukësi “ndez motorrët” Ndreca: Dua Kupën, me Hallaçin po bëjmë gjërat e duhura

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2023 | 23:22

Kukësi “ndez motorrët” Ndreca: Dua Kupën, me Hallaçin po bëjmë gjërat e duhura

Kukësi sfidon nesër ekipin e Teutës në çerekfinalet e Kupës, një kompeticion, që duan t’i shkojnë deri në fund. Edhe pse përballë kanë një rival jo të lehtë, e cila konsiderohet edhe si “mace e zezë” për ta, në kampin verilindor janë optimistë se do t’ia dalin me sukses.

ndreca

Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi i majtë, Edison Ndreca, pohon se skuadra do të tentojë me çdo kusht të arrijë në gjysmëfinale. Ai shprehet i bindur se shumë shpejt do të vijë edhe vazhdimësia në rezultate, në një kohë që e sheh garën e mbijetesës të fortë deri në fund, sepse skuadrat janë ngjeshur shumë me njëra-tjetrën.

Ndreca, duket një Kukës i rilindur në javët e fundit. Çfarë ka ndryshuar me skuadrën?

Mendoj se që me ardhjen e profesor Hallaçit në krye, ekipi ka bërë mirë në të gjitha ndeshjet. Pavarësisht rezultateve, edhe ndeshjet që kemi humbur me Erzenin apo Teutën, kemi zhvilluar paraqitje shumë pozitive. Edhe kemi humbur penallti, që po të shënonim, ndoshta flisnim ndryshe. Mendoj që profesor Hallaçi, bashkë me Shametin, kanë bërë punë të mirë në psikologjinë e ekipit.

Sa e rëndësishme ishte për skuadrën të mundnit Partizanin?

Çdo ndeshje për ne është e rëndësishme, por kur fiton ndaj Partizanit, që është pretendent për titull, na motivon dhe na jep forcë. Është moment delikat për ne për klasifikimin ku është ekipi, ndaj kemi nevojë për pikë.

Megjithatë, duket se ju mungon vazhdimësia. Mendoni se do të zgjidhet edhe ky problem?

Në fakt këto ndeshjet e fundit kemi bërë mirë në përgjithësi, por besoj se duhet bërë ai hapi i fortë që të marrim suksese në 3-4 ndeshje në vazhdimësi. Uroj dhe shpresoj, pasi jam besimplotë që do ta bëjmë këtë në vazhdim.

Nga ana tjetër, edhe ekipet rivale të Kukësit kanë fituar. Si ju duket lufta për mbijetesë?

Është luftë shumë e vështirë, sepse të gjitha ekipet ndahen nga njëra-tjetra me diferencë të vogël. Fiton një ndeshje, ngrihesh në tabelë te zona e Europës dhe nëse humb një ndeshje e shikon veten në zonën e ftohtë. Mendoj që është një garë e fortë dhe do të jetë deri në fund kështu.

Tani keni Kupën me Teutën, si e prisni këtë ndeshje?

Është një ndeshje e vështirë. Teuta po bën mirë edhe në kampionat, por ne u ndeshëm para një jave në Durrës dhe u bë një përballje e fortë. Do të jetë sfidë e rëndësishme për ne, uroj që të dalim në gjysmëfinale.

Klubi do Europën, mendoni se mund ta arrini nëpërmjet Kupës?

Klubi na ka qëndruar gjithnjë pranë dhe vazhdon ta bëjë edhe në këtë fazë delikate të kampionatit. Aq shumë sa e do klubi e duam edhe ne futbollistët suksesin. Edhe unë do të doja të ngrija përsëri një Kupë Shqipërie me Kukësin.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"