Kukësi jashtë çerekfinales së Kupës së Shqipërisë, hera e parë në epokën “Gjici”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2021 | 13:49

Kukësi jashtë çerekfinales së Kupës së Shqipërisë, hera e parë në epokën “Gjici”

Kukësi gjithnjë e ka pasur si synim Kupën e Shqipërisë, por për herë të parë në 10 vite që luan në Superiore, verilindorët nuk arrijnë që të kualifikohen në fazën çerekfinale të këtij turneu.

kukesi egnatia

Ekipi kuksian nuk arriti që të kthejë disavantazhin e ndeshjes së parë ndaj Egnatias (1-3), teksa fitorja minimale në shifrat 1-0 nuk i dha mundësinë për të vijuar rrugëtimin në Kupë, duke e nxjerrë shumë shpejt nga gara për këtë trofe.

Në fakt, Kupa shihej si një objektiv i rëndësishëm nga vetë klubi, duke përfshirë edhe trajnerin Longo me lojtarët, por pas kësaj ndeshjeje kanë hyrë në histori si ekipi që nuk shkoi dot as në fazën çerekfinale, duke u ndalur në fazën e 1/16- ave.

VËZHGIMI – “Panorama Sport” i ka bërë një vëzhgim ecurisë së verilindorëve gjatë kësaj dekade në Kupën e Shqipërisë, ku edhe ka arritur ta çojë në dy raste trofeun në shtëpi. Bëhet fjalë për sezonin 2015-2016 nën drejtimin e Klodian Duros, i cili është edhe trofeu i parë i erës “Gjici”, për t’u pasuar në atë të sezonit 2018- 2019 nën drejtimin e Ernest Gjokës. Sakaq, në këto 10 vite kuksianët kanë dalë katër herë në finale, duke treguar për rëndësinë që ky klub i ka dhënë këtij kompeticioni.

Ndërkohë, verilindorët kanë shkuar edhe tri herë në gjysmëfinale dhe dy herë të tjera në çerekfinale. Pra, deri këtë sezon, arritja mes tetë më të mirave të këtij kompeticioni ka qenë thjesht një formalitet për këtë klub, duke u radhitur gjithnjë mes pretendentëve për t’i shkuar deri në fund Kupës së Shqipërisë. Shifrat e këtij 10-vjeçari tregojnë për një nga skuadrat që ka bërë më mirë në këtë kompeticion, pavarësisht se në fund kanë fituar vetëm dy herë, të cilat sigurisht nuk janë pak.

PRESIONI – Në një klub si Kukësi presioni është evident në çdo sezon, kjo për shkak të pretendimeve dhe investimeve të bëra nga klubi. Verilindorët vijnë këtë kampionat pas dështimit sezonin e kaluar dhe eliminimi nga Kupa rrit akoma edhe më shumë presionin në këtë kamp. Jo vetëm kanë dalë nga gara shumë shpejt, por i kanë hequr mundësinë vetes të dërgojnë një trofe në shtëpi, duke i mbajtur shpresat vetëm te kampionati. Për momentin, nga drejtuesit nuk ka pasur ndonjë reagim për këtë eliminim, sepse në prag është ndeshja me Tiranën kryesuese dhe nuk duan të rëndojnë akoma më shumë psikologjikisht situatën.

STADIUMI – Ashtu siç paralajmëroi pak ditë më parë “Panorama Sport”, Kukësi do ta luante si pritës ndeshjen në “Loro Boriçi” dhe ka ardhur konfirmimi për sfidën me Tiranën. Në fakt, verilindorët ishin përgatitur që përballjen me bardheblutë ta bënin në “Zeqir Ymeri”, por tapeti nuk është ende gati dhe federata ka vendosur të mos e licencojë atë, duke e shtyrë për në një datë tjetër.

EC

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"