“Kukësi është 95% gati”, Rroca kthehet si rival në Gjirokastër: Është shtëpia ime, por dua fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2020 | 21:51

“Kukësi është 95% gati”, Rroca kthehet si rival në Gjirokastër: Është shtëpia ime, por dua fitore

Kukësi përmbylli suksesshëm mini fazën përgatitore në Antalia të Turqisë. Gjatë 13 ditëve qëndrimi në tokën turke, nënkampionët e Shqipërisë zhvilluan më shumë se 20 seanca stërvitore dhe dy ndeshje miqësore. Faza u ka shërbyer shumë lojtarëve e vetë stafit, gjë të cilën e konfirmojnë drejtuesit e futbollistët kuksianë. Tashmë ekipi ka mbërritur në Tiranë dhe po punon për takimin e parë zyrtar për këtë vit, atë ndaj Luftëtarit. 

eduart rroca

Një ish i Luftëtarit, tashmë protagonist i rëndësishëm i Kukësit, Eduart Rroca, në një intervistë për “Panorama Sport” flet për fazën përgatitore, ndeshjen e radhës kundër ish-ekipit të tij. Ai kujton me nostalgji kohët te gjirokastritët, por nga ana tjetër bën thirrje që ekipi të ketë më shumë kujdes, pasi Luftëtari është i fortë në shtëpi. Më tej mesfushori tregon se ka pasur interes për të nga skuadra të huaja, por akoma jo një ofertë konkrete.

Si shkoi faza përgatitore dhe sa u shërben?

Fazë përgatitore na shkoi shumë mirë dhe ishte një periudhë që i nevojitej shumë ekipit për të konsoliduar skuadrën, por edhe për të rritur gjendjen fizike. Çdo gjë shkoi shumë mirë dhe fatmirësisht nuk patëm as dëmtime. Kjo u reflektua edhe në ndeshjet miqësore ku pati një performancë mjaft të lartë nga i gjithë ekipi.

Shumë ngarkesë, humor e batuta në Antalia, cilin moment veçon Rroca si më të mirin? 

Ishte një fazë goxha e ngarkuar, pasi shumicën e ditëve kemi pasur nga dy seanca stërvitore në ditë dhe ngarkesat kanë qenë të larta. Kemi kaluar shumë mirë, kushtet kanë qenë shumë të mira, harmonia dhe batutat mes nesh nuk kanë munguar. Një moment që mund të veçoj është postndeshja e stafit, me të cilën bëmë shumë batuta ku u krijuan situata të ndryshme humori.

eduard rroca

Deri tani asnjë afrim, mendoni se keni nevojë për përforcime? 

Kjo është një çështje që u takon drejtuesve të klubit dhe stafit teknik. Unë besoj se ekipi është i kompletuar dhe është gati, por deri në fund të merkatos mund të bëhen një apo dy afrime të vogla. Unë e shikoj 95 për qind ekipin të kompletuar.

Keni luajtur për shumë kohë në radhët e Luftëtarit, tani shkoni si kundërshtar në Gjirokastër. Keni ndonjë emocion të veçantë të luani në stadiumin që ju kanë duartrokitur aq shumë? 

Kam luajtur për shumë kohë për Luftëtarin dhe kemi arritur mjaft suksese, si në aspektin personal, ashtu dhe ekipi, duke shkuar në Kupat e Europës. Kam kaluar vite të mrekullueshme aty dhe normal që sa herë të shkoj në atë stadium, do kem emocione, aq më tepër tani që shkoj si kundërshtar. Ai stadium mbetet shtëpia ime e dytë dhe gjithmonë do më emocionojë sa herë që të shkoj atje.

Sa e keni vlerësuar ndeshjen ndaj Luftëtarit duke parë dhe pozicionin e tyre në fund të tabelës?

Luftëtari nuk duhet nënvlerësuar aspak, pasi unë e di shumë mirë si funksionon në Gjirokastër… Në shtëpi janë shumë të fortë dhe i hapin probleme çdo ekipi. Edhe në kohën tonë kur luanim ishte shumë e vështirë të na merrnin pikë në Gjirokastër. Pavarësisht momentit jo të mirë që po kalojnë dhe renditjes në tabelë, nuk duhen nënvlerësuar aspak, por duhet dhënë maksimumi për të fituar.

eduart rroca

Si ju duket gara për titull?

Siç e shikoni dhe vetë, gara për titull është shumë e luftuar, pasi të gjitha ekipet janë atyaty dhe me diferenca shumë të vogla pikësh. Besoj se gara do të jetë e luftuar deri në javët e fundit dhe nuk besoj se sivjet do të ketë një ndarje shumë të madhe ndërmjet ekipeve. Mendoj se do të zgjidhet me diferencë shumë të vogël.

 Katër gola për Rrocën në më pak se gjysmën e kampionatit… Do tentoni ta shtoni repertorin tuaj dhe ndaj Luftëtarit?

Unë do mundohem gjithmonë të jap më të mirën dhe pse jo të shënoj. Do ishte shumë mirë si për mua, si për ekipin. Pavarësisht simpatisë dhe viteve që kam kaluar në Gjirokastër, jam profesionist dhe i shërbej maksimalisht ekipit ku militoj, kështu që shpresoj të shënoj një gol në Gjirokastër.

Duke parë performancën tuaj mjaft të mirë, gjatë kësaj periudhe ka pasur interesime nga ndonjë klub i huaj për të marrë shërbimet e tua?

Nga komunikimet që kam pasur me drejtuesit e klubit dhe drejtorin Nexhipi, di që ka pasur interesim nga disa ekipe të huaja. Gjatë zhvillimit të dy ndeshjeve miqësore ka pasur skautë dhe përfaqësues të ekipeve të Superligës turke, por deri tani janë vetëm fjalë, nuk ka ofertë konkrete. Gjithsesi, deri në fund të merkatos presim, të shohim se çfarë mund të bëhet.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"