Kukësi bën llogari me Kupën! Gjici ua ka vënë si kusht, verilindorët presion Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2023 | 9:41

Kukësi bën llogari me Kupën! Gjici ua ka vënë si kusht, verilindorët presion Teutës

Fitorja ndaj Partizanit pretendent tregoi se Kukësi është një skuadër që këtë sezon mund të përballet me këdo, pavarësisht pozicionit që mban në renditje, e cila vjen si pasojë e rezultateve të dobëta të fillim sezonit.

333111626_1395830001221992_351249594526309906_n

Verilindorët, ashtu siç kanë bërë thuajse në të gjitha fitoret e këtij sezoni, arrijnë të marrin tri pikët duke krijuar stabilitet në mbrojtje dhe cinikë në sulm, pasi sërish fitojnë duke mos pësuar gol. Me Rrahman Hallaçin në krye blutë kanë koleksionuar pesë fitore, një barazim dhe katër humbje, duke grumbulluar plot 16 pikë, të cilat për momentin po i mbajnë gjallë shpresat për të mbijetuar.

VAZHDIMËSIA-Ndonëse Kukësi i 2023-shit duket i rilindur, sërish ajo që po mundon drejtuesit dhe stafin është mosarritja nga largimi i zonës së ftohtë. Për fat të keq, fitoret, thuajse janë pasuar gjithnjë me një humbje, duke e lënë skuadrën në vend, në një kohë që edhe ekipet e tjera rivale po bëjnë po kaq mirë. Verilindorëve u mungon vazhdimësia në rezultate për të qenë seriozisht një skuadër që nuk do ta ketë problem arritjen e mbijetesës, e cila këtë sezon është kthyer në një garë vërtet të fortë midis shumë ekipeve. Mungesa e vazhdimësisë dhe serisë së fitoreve radhazi, është një problem që e kanë vënë theksin edhe vetë drejtuesit me trajnerin, të cilët shpresojnë që fitorja me Partizanin të jetë e kthesës dhe ekipi të mos vijojë më me luhatje në rezultate. E radhës në kampionat është ndaj Laçit në transfertë, skuadër që këtë sezon e kanë mundur dy herë duke i marrë pikët e plota.

KUPA-Presidenti i Nderit, Safet Gjici, më herët ka kërkuar që skuadra të gjejë mënyrën për të arritur në Europë, për të përligjur edhe investimet e bëra nga klubi këtë merkato, të cilat nuk kanë qenë të vogla. Dhe, duke parë se në kampionat gara është shumë e fortë dhe Kukësi nuk është në pozita të mira, mënyra më e thjeshtë për të arritur këtë synim mbetet Kupa. Verilindorët do të kenë përballë ekipin e Teutës dhe ndeshjen e parë do ta luajnë të mërkurën në Durrës në orën 17:00, aty ku kanë vite që nuk fitojnë. Në Kukës duket se i kanë dhënë seriozitetin e duhur kësaj sfide të parë dhe Hallaçi pritet të hedhë në fushë të gjitha forcat për të dalë me një rezultat pozitiv dhe të mbajë gjallë shpresat për të shkuar në gjysmëfinale.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"