Kriza tek Elbasani prek edhe akademinë, ekipet drejt shkrirjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2017 | 15:22

Kriza tek Elbasani prek edhe akademinë, ekipet drejt shkrirjes

Elbasanin duket sikur e ka kapur efekti “domino”. Thuhet kështu, pasi mungesa e përgatitjeve për skuadrën e parë ka bërë që edhe ekipet zinxhirë të mos dalin në stërvitje. Duket një situatë sa e pakuptimtë, ashtu edhe e nderë, pasi bëhet fjalë për të gjitha ekipet zinxhirë që aktualisht nuk po grumbullohen dhe s’po stërviten.

Elbasani stervitje

“Panorama Sport” u interesua për këtë çështje pranë këtyre ekipeve të moshave dhe fakti që nuk po grumbullohen ka të bëjë me një urdhër të klubit, ku pa një leje nga “lart” nuk mund të nisin seancat stërvitore.

Mosgrumbullimi ka nxjerrë në pah një problem tjetër jo të vogël, pasi një pjesë e mirë e futbollistëve po largohen nëpër ekipe të tjera private, ku edhe po stërviten aktualisht. Vetë trajnerët dhe lojtarët janë gati për të nisur përgatitjet, por është klubi ai që nuk ka dhënë ende “OK” për të nisur punën.

Elbasani stervitje

PRAPASKENAT – Në një situatë të tillë, skenarët të çojnë në një “lojë” që po luhet nga ana e klubit, duke i mbajtur të gjithë trajnerët në ankth për të ardhmen e tyre. Prej kohësh janë përfolur shumë lëvizje me ardhjen e pronarëve të rinj, por gjithsesi deri më sot kanë qenë vetëm në kuadrin e thashethemeve.

Fakti që po ndalojnë ekipet e të gjitha moshave që janë në varësi të klubit të nisin përgatitjet, do të thotë shumë dhe ndoshta do fillojnë lëvizjet e para në klub që janë përfolur prej kohësh.

Elbasani stervitje

Një faktor tjetër që nuk po nisin përgatitjet edhe te grupmoshat ka të bëjë me faktin se, pa ardhur zyrtarisht pronarët anglezë, nuk do të nisë puna as te sektori i të rinjve. Kjo periudhë tranzicioni nuk dihet sesi do të shkojë për Elbasanin dhe, sipas të gjitha gjasave, përgatitjet do të nisin gjatë muajit shtator.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"