Kriza në Vlorë, Lutaj i del krah Sadedinit: Qesharake të kërcënosh trajnerin, jam gati ta ndihmoj Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2019 | 22:06

Kriza në Vlorë, Lutaj i del krah Sadedinit: Qesharake të kërcënosh trajnerin, jam gati ta ndihmoj Flamurtarin

Edmond Lutaj e shikon Flamurtarin jo vetëm të rënë nga kategoria, por i druhet edhe ekzistencës së klubit nga borxhet.

Lutaj

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-trajneri e quan qesharak diskutimin dhe kërcënimet që bëhen për shkarkimin e trajnerit në këtë situatë. Sipas tij, Dritan Sadedini duhet të mbështetet dhe jo t’i vendosen ultimatume.

Për vlonjatin gjendja është më e rëndë se ajo e vitit ’97 dhe shpreh habinë që Flamurtari nuk preferohet nga trajnerët. Ishtrajneri i kuqezinjve në vitin 2011 i përgjigjet edhe ftesës që i bëri pak kohë më parë administratori Sinan Idrizi për të ndihmuar financiarisht ekipin. Ai shpreh gatishmërinë e tij për ta ndihmuar klubin, e megjithatë ka edhe një kusht.

Profesor Lutaj, si po e shikoni situatën te Flamurtari?

Nuk shikoj ndonjë ndryshim te Flamurtari. Situata vazhdon të jetë e vështirë.

Mbani mend ndonjë sezon që pas 8 javësh, Flamurtari të ketë pasur vetëm dy pikë?

Unë nuk mbaj mend ndonjëherë që Flamurtari të ketë qenë në këtë situatë. Edhe në vitin 1997, skuadra ka qenë pranë rënies nga kategoria. Ishte gjendje e vështirë, por iu gjet zgjidhje. Bashkia në atë kohë e ka shpëtuar. Ata akorduan një fond të mjaftueshëm për të sjellë mbijetesën në Superligë. Ndërsa sot, situata është edhe më e rëndë. Përveç rënies nga kategoria, Flamurtari rrezikon edhe ekzistencën e klubit. Kjo, për shkak të borxheve të shumta që klubi u ka lojtarëve dhe trajnerëve që kanë qenë nën kontratë.

edmond lutaj

Çfarë nuk shkon te ky ekip?

Që të bësh një performancë të mirë në Kategorinë Superiore, duhet të sillesh me profesionalizëm dhe të bësh përgatitje serioze. Për fat të keq, Flamurtari këto përgatitje dhe investime i ka anashkaluar.

Dhe nga duhet të nisin ndryshimet…?

Unë i sugjeroj tri gjëra: ekonomi, seriozitet dhe profesionalizëm.

Administratori ka paralajmëruar se trajneri është i rrezikuar, por mund të ketë edhe operacione të mëdha. Si e lexoni këtë deklaratë të Sinan Idrizit?

Operacione të mëdha…?! Me çfarë? Dritan Sadedini duhet mbështetur dhe jo të kërcënohet. Ai e ka marrë përsipër detyrën e trajnerit se i dhimbset ekipi dhe jo se po i mbushen xhepat me lekë. Ju e dini shumë mirë që disa trajnerë nuk kanë pranuar ta marrin përsipër ta drejtojnë ekipin e Flamurtari.

Që do të thotë…?

Ka vetëm një pyetje për këtë rast: Përse këta trajnerë që u është ofruar ekipi, nuk kanë pranuar? Kur dihet që në Shqipëri ka shumë trajnerë profesionistë që janë të papunë dhe mezi presin për një kontratë pune, më duket disi e habitshme. Kërcënimi nga klubi për shkarkimin e trajnerit në këtë situatë që gjendet klubi është qesharak dhe pa sens.

Ngjeshja e kampionatit e detyron Flamurtarin që në harkun e një jave të sfidojë ekipe si Vllaznia dhe Skënderbeu. Si i shikoni këto dy takime dhe a besoni te kthesa?

Të gjitha ndeshjet për Flamurtarin janë të vështira. Unë i uroj ekipit suksese dhe shpresoj që të mos dalin pa pikë, sepse nëse rezultatet do jenë negative, mendoj që situata në klub do të rëndohet edhe më shumë.

Pas kritikave tuaja për mbylljen e dyerve të stadiumit, Idrizi ka deklaruar se priste nga ju 5 milionë lekë në formë ndihme. Keni një përgjigje?

Nëse bëhet fjalë për një projekt serioz për ta ndihmuar Flamurtarin, unë do të jem gjithmonë i gatshëm t’i mbështes me mundësitë e mia.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"