Kritika e legjendës gjirokastrite, Kalluci: Luftëtari u shthur, ekip i çorientuar. Duhet merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2018 | 21:12

Kritika e legjendës gjirokastrite, Kalluci: Luftëtari u shthur, ekip i çorientuar. Duhet merkato

Humbja në ndeshjen e parë të kampionatit nuk ka “trokitur” aspak mirë te legjenda e futbollit gjirokastrit, Theodhori Kalluci. Ai ka kritikuar ashpër skuadrën dhe thotë se ingranazhet nuk funksionuan, ashtu siç të gjithë prisnin. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Kalluci thotë se repartet lanë shumë për të dëshiruar dhe nuk u kuptuan me njëri-tjetrin.

Kalluci

“Me përjashtim të portierit Ruci, i cili ka meritën në mospësimin e shumë golave, qendra e mbrojtjes, mesfusha dhe sulmi ishin inekzistente në këndvështrimin tim. Në pjesën e parë skuadra interpretoi lojë me nivel të kënaqshëm, por në të dytën pashë një tjetër skuadër. Ishte totalisht e shthurur në mbrojtje. Lojtarët në pjesën e dytë ishin konfuzë dhe të çorientuar. Edhe pse Luftëtari është një nga skuadrat e para që ka nisur përgatitjet, për mendimin tim ngjan me një ekip të ndërtuar rishtas. Dëshira nuk mjafton për të gjetur fitoren, por duhen gjetur mekanizmat e duhur për ta arritur atë. Kjo është detyra kryesore e stafit teknik”, tha legjenda bluzi.

MERKATO- Nëse arsyet për dështimin në start janë të shumta, Kalluci kapet edhe me vendimin e federatës për të vazhduar kampionatin pa mbyllur merkaton. “Që një skuadër të formatohet për të qenë kompetitive duhet të ruajë boshtin e skuadrës dhe në merkaton e verës të plotësojë boshllëqet e krijuara në dalje. Luftëtari bëri mirë në merkaton e janarit, por në këtë të deritanishmen konstatoj se skuadra ka nevojë për përforcime cilësore. Të rinjtë i përkasin së ardhmes, por për moshën dhe eksperiencën që kanë nuk marrin mbi shpatulla përgjegjësinë e lojtarëve me peshë.

Trajneri guxoi të aktivizonte të rinjtë ndaj Kastriotit, por në kushte kur skuadra humbet ata s’mund të bëjnë asgjë. Ndaj mendoj se Luftëtari ka nevojë për një stol më të kompletuar. Ishte vetëm një betejë e humbur, por besoj se në luftë duhet të bëjnë më mirë”, përfundoi Kalluci. Luftëtari humbi në ndeshjen e parë ndaj Kastriotit, ndërsa në të dytën do të luajë kundër Laçit.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"