Kosova rrezikon përjashtimin nga kompeticionet ndërkombëtare, Ujkani shkund FFK-në: Kemi bërë sakrifica për këtë ditë, lini mënjanë …

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Dhjetor 6, 2019 | 22:07

FB Kosova & Rajoni LAJMI KRYESOR Të fundit

Kosova rrezikon përjashtimin nga kompeticionet ndërkombëtare, Ujkani shkund FFK-në: Kemi bërë sakrifica për këtë ditë, lini mënjanë …

Kosova është tronditur nga lajmet në mediat serbe, kroate dhe maqedonase se rrezikon të përjashtohet nga kompeticionet ndërkombëtare si dhe t’i hiqet shansi për t’u kualifikuar në EURO 2020 për shkak të problemeve të mëdha që kanë përfshirë federatën e futbollit të Kosovës, ku është tentuar shkarkimi i presidentit të saj Agim Ademi.

ujkani-kosove

I alarmuar nga paniku i shkaktuar nga lajmet e këtyre mediave ballkanike, kapiteni i Kosovës Samir Ujkani u bën thirrje zyrtarëve të FFK-së të lënë mënjanë konfliktet e brendshme dhe të mendojnë për kualifikimin e ‘’Dardanëve’’ drejt EURO 2020 nëpërmjet Ligës së Kombeve.

Në 26 mars, Kosova dhe Maqedonia do të përballen për të kërkuar pjesëmarrjen historike në një kampionat europian. Fituesi i këtij çifti përballet më pas me atë të sfidës Gjeorgji-Bjellorusi.

Kujtojmë që dy ditë më parë, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së shkarkoi nga detyra zv/sekretarin e tij, i cili po grumbullonte firma për të sfiduar Agim Ademin për postin e presidentit të FFK-së.

Letra e kapitenit të Kosovës Samir Ujkani drejtuar Federatës së Futbollit të Kosovës për rrezikun e përjashtimit nga aktivitetet ndërkombëtare të futbollit:

Të shqetësuar nga lajmet që kemi lexuar sot në media, jemi të detyruar të reagojmë ndaj një situate për të cilën jemi habitur që ndodh tani, pikërisht në kohën kur kemi nevojë për stabilitet dhe mbështetjen e të gjithëve.

Futbolli i Kosovës ka mbijetuar e është zhvilluar me sakrifica të skajshme të shumë e shumë brezave dhe vetëm të bashkuar kemi arritur deri këtu.

Rrugën nuk e kemi pasur të lehtë, jo vetëm ne brezi aktual i futbollistëve, por dhe ata që shtruan rrugën për ne deri këtu, prandaj pas gjithë këtyre sakrificave, nuk mund të lejojmë që për interesa personale të kujtdo qoftë, të rrezikohet një proces kaq i rëndësishëm siç është rrugëtimi drejt kampionatit europian.

Prandaj, në një situatë të tillë, u bëjmë thirrje të gjithëve që t’i lënë anash interesat personale dhe të rreshtohen pas nesh në qëllim për të realizuar ëndrrën, jo vetëm në aspektin sportiv, por dhe për të gjithë ata që gjatë këtyre dekadave kanë sakrifikuar për arritjen e këtij qëllimi; kualifikimit të Kosovës në një garë të madhe siç është kampionati europian. Si futbollistë, ne jemi në krah të pjesës institucionale të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Me respekt, Samir Ujkani, kapiteni i Kombëtares së Kosovës në futboll

LETRA

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com