Korçarët “sparkatë” Partizanit për Micin, kuksianët akuzojnë Malotën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2016 | 12:38

Korçarët “sparkatë” Partizanit për Micin, kuksianët akuzojnë Malotën

Dy ditë më parë, Gledi Mici shihej si një nga përforcimet e sigurta të skuadrës së Partizanit pas largimit nga Kukësi, edhe pse këta të fundit zyrtarisht vazhdojnë ta kenë lojtarin nën kontratë. Por, situata tashmë ka ndryshuar, pasi Skënderbeu është futur në garë për të marrë shërbimet e mbrojtësit të majtë, i cili kërkohet me ngulm nga trajneri Agostineli.

gledi mici

Burimet thonë se korçarët nuk kanë hyrë në bisedime me lojtarin, por me klubin e Kukësit që vazhdon të ketë në pronësi kartonin e fierakut. Verilindorët tashmë janë koshient se futbollisti nuk dëshiron të jetë pjesë e tyre dhe po kërkojnë të fitojnë financiarisht nga largimi i tij. Dhe këtë moment po e shfrytëzojnë korçarët, të cilët janë gati të paguajnë jo pak, por 50 milionë lekë për të marrë shërbimet e futbollistit, ofertë e cila mund të pranohet nga drejtuesit e Kukësit, duke qenë se edhe marrëdhëniet mes dy klubeve janë mjaft të mira.

Ndërsa, drejtuesit e Partizanit, kanë qëndruar disi në heshtje gjatë këtyre ditëve, duke qenë se kanë arritur një akord paraprak me lojtarin dhe presin që ai të dalë i lirë, pasi ka apeluar kontratën në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve dhe më pas të firmosë me kryeqytetasit. Burime pranë Partizanit bëjnë me dije se verilindorët i kanë kërkuar 50 mijë euro dhe shërbimet e Kalarit, nëse ata duan që të marrin kartonin e lojtarit, i cili është kthyer në një nga më të kërkuarit.

gledi mici

Mbrojtësi

Vetë Mici duket i paqartë në lidhje me të ardhmen e tij, duke qenë se ende nuk e ka zgjidhur kontratën. Por, duke parë rrjedhën e ngjarjeve mësohet se edhe futbollisti është dorëzuar disi, duke pranuar tratativa me drejtuesit e Kukësit për të ardhmen e tij. Kjo, pasi lojtari edhe nëse do të dalë i lirë nga Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve, drejtuesit e Kukësit nuk kanë ndërmend që të dorëzohen dhe do të apelojnë vendimin, çka rrezikon që futbollisti të qëndrojë rreth tri muaj pa luajtur, deri në momentin sa çështja të zgjidhet përfundimisht. Gjithsesi, do të mbeten për t’u parë se si do të rrjedhin ngjarjet në ditët në vijim.

Kukësi

Lojtari është kthyer në një çështje te skuadra e Kukësit, dhe drejtori Dritan Dervishi ka bërë me dije se do të ketë një takim me lojtarin gjatë ditës së sotme, por nuk ka dashur që të komentojë më shumë, pasi duhet që më parë të flasë me lojtarin. Nuk dihet nëse Dervishi do të bindë mbrojtësin të rikthehet në skuadër apo do të kryejë tratativa të tjera me të.

mici malota

Nga ana tjetër, zyrtarë të ndryshëm të verilindorëve akuzojnë Renato Malotën për ndikim te Mici që t’i bashkohet Partizanit. Vetë Malota pritet të prezantohet sot me fanellën e kuqe. Pritet që këto akuza të bëhen publike edhe nga klubi, në rast se Mici do të firmosë me Partizanin sezonin e ardhshëm. Aktualisht Mici ka hedhur hapa zyrtarë, duke bërë ankesë në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve, për të dalë lojtar i lirë, duke pretenduar se kontrata që ka me Kukësin nuk është e ligjshme.

Nga ARMAND HALILI dhe SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"