“Korça, ‘pjacë’ për çdo lojtar”, Liço rrëfen planin për 270 minutat e fundit: Tani luajmë për… Temitope

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2023 | 20:50

“Korça, ‘pjacë’ për çdo lojtar”, Liço rrëfen planin për 270 minutat e fundit: Tani luajmë për… Temitope

Nëntëdhjetë minutat e ndeshjes së radhës në Cërrik janë shumë të rëndësishme për Skënderbeun dhe rrugëtimin drejt objektivit minimal të sezonit. I këtij mendimi është Dean Liço, fantazisti korçar që ka zhvilluar një sezon tejet pozitiv me korçarët.

dean lico

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Liço shprehet i bindur se Skënderbeu i tij, jo vetëm që arrin kalimin në Superiore, por shkon më tej kur thotë se bardhekuqtë e kanë mundësinë në dorën e tyre për të mbyllur në vendin e parë kampionatin. Për këtë ai thotë se duhet të japin maksimumin ndaj Turbinës.

“Kemi mundur të rikuperojmë shumë në pjesën e dytë të sezonit dhe mbi të gjitha gjatë këtij viti kalendarik kemi bërë mirë. Normalisht që mund të bënim më mirë, por ecuria është pozitive. Kjo na dha mundësi që të jemi në kryesim të kampionatit të Kategorisë së Parë dhe të vijojmë të bindur drejt objektivit tonë.

Ndeshja ndaj Turbinës është më e rëndësishmja sa i përket kalimit në Kategorinë Superiore dhe duhet që të bëjmë maksimumin. Është një ndeshje transferte dhe në një fushë të vështirë ndaj një kundërshtari që kërkon pikët e veta në këtë fundsezoni. Duhet të jemi të përqendruar dhe të japim maksimumin për ta mbyllur me sukses. Sa i përket objektivit tonë, normalisht që mbetet kalimi në Superiore më primari, por ne duam ta mbyllim në vendin e parë kampionatin, për të qenë të plotësuar”, theksoi fillimisht ai.

LICO

EKIPI- Sa i takon ekipit dhe ecurisë individuale të lojtarëve, korçari i mesfushës së Skënderbeut ka edhe një merak tjetër dytësor sa i përket objektivave. Për Liçon Skënderbeu është ekipi i duhur për të dalë në tregun europian dhe Superiorja do ta ndihmojë më shumë për këtë. Ndërsa në anën tjetër, fitimi i “Topit të Artë” të Temitopes do të jetë një tjetër objektiv.

“Jemi të vetëdijshëm që do të bëjmë më të mirën tonë në ndeshjet e mbetura edhe për të nxjerrë golashënues sulmuesin tonë. Por primare mbetet kalimi në Superiore. Elita është një tjetër nivel cilësie dhe si i tillë mbetet i dëshirueshëm nga të gjithë ne. Skënderbeu është ekipi që të nxjerr më mirë në tregun europian. Kjo është kryesorja për ne, prandaj le ta bëjmë realitet”, përfundoi Dean Liço.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"