Konte e çon në gjyq, Çelsi mbrohet me… vendin e parkimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2018 | 13:37

Konte e çon në gjyq, Çelsi mbrohet me… vendin e parkimit

Antonio Konte ka refuzuar të takohet dhe të gjejë një zgjidhje konsensuale të kontratës së tij me Çelsin dhe po këmbëngul që të arrijë fitoren e tij në gjykatë. Trajneri pretendon të paguhet për pjesën e mbetur të kontratës që e lidhte me londinezët, për një shumë që arrin në 26 milionë euro.

konte

Italiani, i cili së fundmi thuhet të ketë refuzuar edhe Realin e Madridit, mendon se duhet paguar për atë që është kontraktuar pas shkarkimit të tij në fillim të këtij viti dhe kjo është një nga arsyet që ai po vonon të angazhohet me ndonjë klub tjetër, pavarësisht se interesi ndaj shërbimeve të tij vijon të jetë i lartë. Avokatët e Konte kanë punuar për dy raste të veçanta për javë të tëra; një në gjykatë të punësimit dhe një tjetër për Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (KAS), në mënyrë që të gjejnë strategjinë fituese për të siguruar suksesin përpara trupit gjykues.

MBROJTJA – Mediat angleze raportojnë gjithashtu se Çelsi refuzon të paguajë për shkak të sjelljes së tij në klub, duke përfshirë trajtimin e Diego Kostës, të cilin e “shkarkoi” me një mesazh në celular dhe mbërritjen me vonesë në konferencat për shtyp. Një tjetër detaj i pakënaqësive të klubit të Roman Abramoviçit është edhe fakti se Konte, gjatë kohës që drejtonte skuadrën, ka parkuar në hapësirën e gabuar në qendrën stërvitore në Kobhem. Kjo është një ankesë, që klubi synon ta përdorë në mënyrë që të ulë akoma më shumë shanset e Kontes për të fituar gjyqin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"