Komisioni i Apelit nuk e fal Tërbunin, Gjoni: E gjejmë drejtësinë në KAS

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2023 | 9:25

Komisioni i Apelit nuk e fal Tërbunin, Gjoni: E gjejmë drejtësinë në KAS

Nuk ka falje për Tërbunin. Edhe pse pukjanët shpresonin që të zhbëhej vendimi i dhënë nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës më datë 5 prill 2023, nuk ka ndodhur kështu.gjoni

Komisioni i Apelit e ka lënë në fuqi masën dhe zyrtarisht klubi mbetet i përjashtuar. Pas mbledhjes së zhvilluar të martën, dje është publikuar edhe vendimi: “Pasi u njoh me relacionin e Sekretariatit Teknik, shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur dhe diskutoi çështjet në tërësi si dhe duke u bazuar në nenet 76 e vijues të Kodit të Disiplinës Sportive. Vendosi: Lënien në fuqi të Vendimit Nr. 31, pika 1, datë 05.04.2023 të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS/TAS) Lozanë Zvicër”.

REAGIMI – Në Pukë nuk e kanë pritur aspak mirë këtë vendim. Ata pretendonin se me faktet e paraqitura gjatë mbledhjes që zgjati katër orë të martën, të merrnin drejtësi. E megjithatë, klubi nuk do ta lë me kaq. Ata do t’i drejtohen Lozanës tashmë. Këtë e konfirmon për “Panorama Sport” edhe drejtori teknik. Viktor Gjoni mendon se drejtësia do të vendoset në vend.

“Besonim se do të fitonim drejtësi nga ana e Komisionit të Apelit. Donim shumë që këtë çështje ta zgjidhnin pa shkuar më larg. Morëm një ndëshkim sa të qëllimshëm aq edhe të padrejtë. Nuk e meritonte Tërbunin. Ka ndodhur edhe më keq me ekipe të tjera, por nuk e kanë pësuar si ne. Sidoqoftë, ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj historie. Tashmë kemi mundësinë që të ankimojmë në Lozanë. E ardhmja? Kam biseduar me trajnerin dhe lojtarët. Ata të qëndrojnë, pasi duam të jemi të gatshëm për sezonin e ri futbollistik. Një pjesë e tyre kanë kontratë dhe janë të gatshëm të kontribuojnë”, u shpreh drejtori teknik.

DITMIR PEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"