“Kolela ka nevojë për kohë”, ish-kapiteni i Apolonisë: Në Superiore duhen ‘ekspertë’

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2020 | 10:55

“Kolela ka nevojë për kohë”, ish-kapiteni i Apolonisë: Në Superiore duhen ‘ekspertë’

Apolonia ka mbetur në “vendnumëro” me merkaton. U ngjitën me meritë të plotë në elitë, por vetëm një afrim duket shumë pak për të përballuar garën e ashpër. E megjithatë, kurrë nuk është vonë. Tregu i shitblerjeve mbetet i hapur deri më 20 shtator dhe drejtuesit pritet që të shfrytëzojnë këto ditë për të “peshkuar” përforcimet e duhura. Julian Gërço paralajmëron se klubi do të bëjë goditjet e duhura dhe as do ta diskutojnë qëndrimin në Kategorinë Superiore. Iskapiteni, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, nuk ngurron që të skanojë bardhejeshilët dhe mbi të gjitha ndryshimet në pankinë.

Ndeshja e futbollit, Apolonia-Mamurrasi, 2-1, e vlefshme per Kategorine e Pare, e luajtur ne stadiumin Loni Papuciu, ne qytetin e Fierit.

Apolonia u ngjit, por mbetet jo fort aktive në merkato. Beson Gërço që do krijohet ekipi i duhur deri në nisje të sezonit?
Unë kam qenë afër drejtuesve të klubit dhe kam komunikuar me ta në vazhdimësi, ndaj mund t’ju them se Apolonia i ka bërë disa goditje në tregun e huaj dhe pritet nga dita në ditë që ata të vijnë. Në dijeninë time, janë futbollistë që kanë minuta dhe cilësi shumë të mira. Me afrimet që priten, besoj se ekipi do të përforcohet mjaftueshëm dhe nuk do ta diskutojë mbijetesën.
Koco-Kokedhima-659x365
Por presidenti ka premtuar se Apolonia e sezonit të ri do të ketë si objektiv zonën UEFA…
E kush nuk do të dëshironte diçka të tillë, por mendoj se është pak shpejt që Apolonia ta arrijë qysh në sezonin e parë. Gjithsesi, unë uroj që të realizohet premtimi i presidentit të Apolonisë.

Për një Apoloni me moshë të re dhe e shkëputur 5 vjet nga futbolli elitar, sa të lehtë do ta ketë në këtë sezon?
Nuk besoj se do ta ketë të lehtë, sepse dihet vështirësia dhe ritmi që ka Superiorja. Por me strategjinë që klubi ka dhe bazuar tek akademia, do ta realizojë mirë. Gjithsesi, “marshin” e elitës mund ta kapim vetëm duke i shtuar përvojë grupit aktual, pa hequr sigurisht besimin që kemi në cilësitë e atyre që janë pjesë e ekipit.
mergjyshi
Ka ndodhur dhe ndryshimi i pankinës. Në një moment delikat, largohet Mërgjyshi dhe stoli i është besuar italianit Kolela. Sa e shëndetshme është kjo lëvizje për skuadrën?
Në mbarë opinionin publik sportiv, nuk është një lajm i mirë fakti që trajneri kampion largohet. Unë nuk di të them me siguri se çfarë ka ndodhur, nëse Mërgjyshin e larguan apo u largua vetë. Kjo gjë është pjesë e brendshme mes palëve. Sa i përket trajnerit të ri, dihet se çfarë janë italianët dhe çfarë kërkojnë. Problemi qëndron se sa shpejt do të ambientohet Xhovani Kolela, duke parë që kampionati do të fillojë shumë shpjet. Duhen afruar lojtarë sa më shpejt, që edhe ai të jetë në gjendje të formojë ekipin e duhur për startin e kampionatit.

Si ish-kapiten dhe njohës i mirë i Apolonisë, cila do të ishte këshilla e Gërços për skuadrën?
Pas kaq vitesh në Kategorinë e Parë, Apolonia ia doli me djem të rinj, që janë lojtarë të mirë dhe me nivel futbolli. Por tani në ekip nevojiten disa “ekspertë”, që ta udhëheqin grupin dhe të ndihmojnë të rinjtë për t’u përsosur. Me sa di unë, ekipit i duhet më së paku një mbrojtës i majtë, një mesfushor organizator dhe një sulmues “pykë”. Pa i hequr meritat Gjatës apo dhe lojtarëve të tjerë, them se elita kërkon një ekip më me eksperiencë, ku do të alternohet përvoja me talentin e të rinjve. Nëse kjo ndodh, do të shtohet konkurrenca dhe rritet cilësia, duke e bërë këtë grup më të kompletuar dhe me më shumë alternativa.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"