KOKSH mban Asamblenë, KAS-i në rend dite rikthen FSHF-në në Komitetin Olimpik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2022 | 12:57


KOKSH mban Asamblenë, KAS-i në rend dite rikthen FSHF-në në Komitetin Olimpik

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka zhvilluar sot asamblenë e përgjithshme.

284333649_387693169798659_7372463737547358023_n (1)

Një asamble ku u morën disa vendime shumë të rëndësishme. Gjithçka nisi me auditimin e një prej periudhave më të përfolura të këtij institucioni, të viteve 2019, 2020 dhe 2021, periudhë që e dërgoi KOKSH-in deri në prokurori.

Por sipas auditit gjithçka ishte “OK” dhe nuk kishim të bënim me shkelje. Më tej mes debateve u miratuan me shumicë votash edhe disa ndryshime statutore.

U miratua gjithashtu edhe pranimi i Izmir Smajlajt, i zgjedhur nga Komisioni i Sportistëve për të qenë anëtarë i Komitetit Ekzekutiv të KOKSH.

Ndërkohë një nga pikat më të rëndësishme të rendit të ditës ishte edhe miratimi i rregullores së Këshillit të Arbitrazhit Sportiv (KAS-it), institucion që së shpejti pritet të marrë jetë në Shqipëri.

Ishte pikërisht KAS-i, ai që riktheu edhe Federatën e Shqiptare të Futbollit në asamble, pas disa injorimeve radhazi që i bënte KOKSH-it.

FSHF kishte dërguar në asamble përfaqësuesin e saj, juristin Envi Icka, i cili replikoi duke u shprehur se rregullorja e paraqitur e KAS-it është e ndryshme me atë që sipas tij kishin marrë 20 ditë më parë. Megjithatë gjithçka kaloi në votim dhe shumica e anëtarëve votoi pro miratimit të rregullores.

Më pas u miratua gjithashtu edhe buxheti për projektin e sportit në shkolla, si dhe u pranuan dy anëtarët e rinj në Komitetin Olimpik, siç janë Shoqata Kombëtare Padelit dhe Federata Shqiptare e Ndeshjes së Lirë.

Në fund në presidenti i KOKSH, Fidel Ylli e deklaroi të mbyllur asamblenë, ndërsa bëri të ditur se së shpejti do të ketë një tjetër asamble për të zgjedhur 3 anëtarët e KAS-it, si dhe për të votuar vendet e mbetura vakant në Komitetin Ekzekutiv të KOKSH.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL