“Klub perfekt, Egnatia një hap para”, trajneri Magani: Porta u blindua, duhet të shtojmë konkurrencën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2021 | 22:06

“Klub perfekt, Egnatia një hap para”, trajneri Magani: Porta u blindua, duhet të shtojmë konkurrencën

Gugash Magani nuk është bërë as sesi pishman që zgjodhi Egnatian. Edhe pse një skuadër që militon në Kategorinë e Parë, nuk mund t’i thoshte “jo” një projekti ambicioz. Rrogozhinasit po shtrojnë rrugën drejt elitës dhe vetë trajneri është i bindur se do t’ia dalin. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, ai e thotë hapur se ka gjetur klubin perfekt. “Kemi hyrë në javën e tretë të përgatitjeve dhe mendoj se skuadra është gati për të rifilluar sezonin. Ndërprerja e kampionatit na dha një lloj dore për të perfeksionuar diçka në lojën e skuadrës. Gara do të jetë edhe më e vështirë në pjesën e mbetur të sezonit, por nuk demotivohemi. Jemi më shumë se të karikuar e mobilizuar për të realizuar objektivin ‘Superiore’. Nuk na mungon asgjë. Jemi një nga klubet me kushtet më të mira.
136733299_3533726543406840_5696813973743324130_n
Drejtuesit po na mundësojnë gjithçka, duke nisur nga infrastruktura. Sikundër edhe e dini, tashmë kemi edhe një fushë për t’u stërvitur në zonën e Lekajt. Një ambient më shumë se komod, që na ka lehtësuar ndjeshëm punën në këtë periudhë minifaze. Ndihemi me fat, pasi e kishim domosdoshmëri një terren të tillë. Jemi klub që funksionon në perfeksion. E gjithë kjo situatë po reflektohet edhe në miqësoret që kemi zhvilluar. Në të tria jam bindur nga loja. Golat? Ne trajnerët presim që golat të vijnë nga çdo repart, është diçka e vlefshme pa dallim. Skuadra është e përbërë me lojtarë me përvojë e cilësi që japin panoramikën e duhur”, u shpreh fillimisht peqinasi i stolit të rrogozhinasve, që konfirmon se sot do të luajnë edhe një tjetër ndeshje testuese.

“Kemi rënë dakord me Sopotin që nesër (sot) të luajmë një miqësore në Librazhd”.

Nuk kishte si të mos fliste për merkaton, ndërsa hapur thotë që pret t’i shtohen konkurrenca në çdo rol. “Bashkë me drejtuesit çdo ditë bisedojmë rreth përforcimeve që do bëjmë. Porta është e blinduar tashmë, por pres që çdo rol të ketë më shumë zgjedhje. Sezoni do jetë i gjatë, ndaj duhet të merren masat që tani. Me pretendimet që kemi, duhet t’i shmangim vetes shqetësime të tilla. E megjithatë, kërkoj lojtarë që të jenë mbi nivelin e këtyre që kam ose minimalisht t’i rivalizojnë ata”, përfundoi Magani.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"