“Këtu luhet futboll më i ashpër”, Andi Ribaj: Mjaftojnë pak afrime, Moçka do të na ndihmojë shumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2021 | 19:29

“Këtu luhet futboll më i ashpër”, Andi Ribaj: Mjaftojnë pak afrime, Moçka do të na ndihmojë shumë

Andi Ribaj mendon që Flamurtari nuk ka nevojë për ndërhyrje të mëdha në këtë merkato dimri. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, kapiteni thekson se grupi po rritet dita-ditës dhe jep shpresë për një të ardhme të ndritur. Sulmuesi vlerëson reagimin e lojtarëve gjatë kësaj minifaze përgatitore, ndërsa paralajmëron se 2021-shin do ta nisin me fitore kundër Turbinës.

RIBAJ

Andi, si po shkon minifaza përgatitore dhe sa ju bind ky ekip?

Faza përgatitore po ecën shumë mirë dhe jam shumë i kënaqur nga reagimi i të gjithë lojtarëve. Si grup po punojmë fort që të përballojmë me sukses dhe sa më mirë pjesën e mbetur të kampionatit. Grupi i futbollistëve është i mirë dhe me shumë dëshirë për të punuar e për të dhënë maksimumin. Lojtarët do të rriten me kalimin e kohës. Kam shumë besim se do të bëjmë mirë gjatë kësaj faze të dytë.

Cilat janë repartet që kanë nevojë për përforcime?

Sigurisht që ekipi ka nevojë për përforcime, po për këtë mendon stafi me drejtuesit. Kam bindjen se përforcimet do të jenë në ato reparte ku shihen si më të nevojshme. Grupin e lojtarëve e kemi dhe besoj se do të afrohen pak elementë, që të na bëjnë edhe më të plotë.

A ka një objektiv Flamurtari për këtë sezon dhe sa larg mund të shkoni?

Ne kemi një grup me djem të rinj dhe që është formuar këtë sezon. Synimi ynë është që të luftojmë për të arritur lart. Jam i bindur se do të arrijmë aty ku duhet, duke dhënë maksimumin për këtë fanellë.

Ndërkohë është rikthyer Moçka. Jeni më të qetë?

Dihet që Moçka është një lojtar me eksperiencë dhe do të na ndihmojë shumë. E shoh si shumë pozitive që na u bashkua. Kemi dhe Saugli Alimuçajn që ka bërë paraqitje shumë të mira.

Ndeshjen e parë të vitit do ta luani me Turbinën në Cërrik, çfarë prisni nga ai takim?

Do të jetë një ndeshje e fortë. Ne do të shkojmë vetëm për fitore në Cërrik. Do të japim gjithçka me qëllim që të arrijmë maksimumin dhe ta nisim mbarë këtë fazë.

Si ju është dukur Kategoria e Parë, kur e krahasoni me elitën?

Është një kategori shumë e fortë, ku luhet futboll i ashpër. Megjithatë, do t’i përshtatemi, sikurse edhe kemi bërë deri tani.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"