“Kemi korrigjuar gabimet që bëmë me Lushnjën”, Sampaio: Jam unë trajneri i Flamurtarit, e thyejmë Pogradecin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 24, 2021 | 11:14

“Kemi korrigjuar gabimet që bëmë me Lushnjën”, Sampaio: Jam unë trajneri i Flamurtarit, e thyejmë Pogradecin

Flamurtari po “dergjet” në vendin e parafundit, megjithatë Rui Sampaio nuk i humb shpresat. Edhe pse zonën “play out” nuk e shmangin dot, në Vlorë pretendojnë sa më shumë pikët dhe largohen Elbasanit që mbyll tabelën. Kjo javë i vendos përpara një kundërshtari vërtet të fortë, që i ka hap punë kujtdo: Pogradecit. Trajneri e di që do të jetë e vështirë, por beson te pikët.

SAMPAIO

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, portugezi thotë: “Ne kemi punuar për ta fituar këtë ndeshje. Po natyrisht që e dimë se do të luajmë kundër një ekipi shumë të mirë dhe që po kalon një moment pozitiv kohët e fundit. Me Pogradecin do të jetë shumë e vështirë, por ne jemi të gatshëm të luftojmë deri në fund dhe do të përpiqemi që ta fitojmë këtë ndeshje. Luajmë në fushën tonë dhe kjo gjë na vendos përpara detyrimit për të bërë mirë dhe për të marrë maksimumin, pse jo, të dalim me pikë të plota nga ky takim. I kemi të gjitha mundësitë për këtë dhe do të përpiqemi që në fushën e lojës të bëjmë jo vetëm një lojë të bukur, siç kemi bërë deri tani, por të luftojmë edhe për të marrë pikë”.

ANALIZA

Flamurtari do të jetë i plotë, pasi Krenviol Kreshpa dhe Geraldo Ballaj kanë shlyer pezullimet. Skuadra ka zhvilluar edhe një analizë para këtij 90-minutëshi, ndërsa trajneri zbulon se janë nxjerrë gabimet. “Analizuam gabimet e humbjes me Lushnjën dhe do bëjmë çmos që të mos i përsërisim nesër (sot). Kemi punuar dhe analizuar fazën mbrojtëse dhe sulmuese. Loja e mirë nuk na ka munguar këto javë, por duhen pikë. Kemi pasur shumë pak kohë në dispozicion për t’u përgatitur për këtë takim. Unë jam i bindur se kemi bërë mirë, duke u stërvitur me ngarkesë të plotë”, shtoi ai.

STOLI

Sampaio nuk ndikohet aspak nga zërat që qarkullojnë për pankinën, ndërsa e qartëson se është ai trajneri. “Unë jam trajner i Flamurtarit. Drejtuesit më kanë besuar dhe për këtë jam i lumtur. Do të respektoj kontratën deri në fund dhe bashkë me skuadrën do të punojmë fort për të dalë me kokën lart pas mbylljes së kampionatit”, përfundoi 50- vjeçari.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"