Kavaja, si Antalia për 12 klube nga Kosova

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2016 | 15:40

Kavaja, si Antalia për 12 klube nga Kosova

kavajaNëntë skuadra të “Raifaisen Superliga” të Kosovës (përbëhet nga 12 klube) kanë zgjedhur Shqipërinë ose më saktë qytetin e Kavajës për zhvillimin e fazës përgatitore dimërore. Ekipe si Prishtina, Hajvalia, Llapi, Besa e Pejës, Drenica, Liria e Prizrenit, Vushtrria, Drita e Gjilanit dhe Trepça ’89 po zhvillojnë fazën përgatitore në Kavajë.

Krahas tyre, edhe ekipet e Ligës së Parë kosovare: KEKu, Dukagjini dhe Flamurtari i Prishtinës, gjithashtu po stërviten në Kavajë. Plot 12 skuadra dhe të gjithë trajnerët e tyre shprehen mjaft të kënaqur për “Panorama Sport” në lidhje me kushtet e ofruara në akomodim dhe fusha për stërvitje.

Kësisoj, klubet kosovare e kanë shndërruar Kavajën si Antalian në Turqi, ku dhjetëra ekipe europiane dynden gjatë janarit. Në këtë periudhë skuadrat kosovare po sjellin mijëra euro për resortet ku janë akomoduar në Kavajë dhe Durrës. Disa prej ekipeve udhëtojnë deri në kompleksin e Pezës në Tiranë për të kryer edhe stërvitje me drita.

Ndërkohë, një nga trajnerët e mirënjohur kosovarë, Arbnor Morina, që aktualisht drejton Besën e Pejës, sheh si handikap faktin që, ndërsa klubet e Kategorisë Superiore në Shqipëri marrin lojtarë nga skuadra kosovare, nuk pranojnë pikërisht trajnerët e atyre që kanë përgatitur këta futbollistë.

Gazeta bëri dje një vëzhgim në kampingjet e 4 ekipeve me histori në futbollin kosovar. Prishtina Si kurrë më parë, Prishtina ndodhet plot 13 pikë larg kreut, që mbahet nga Ferronikeli. Një nga drejtuesit e klubit, këngëtari i njohur, Afrim Muçiqi, lëshon sfidën për rivalët, duke theksuar se Prishtina do të shpallet kampione.

Në merkaton e janarit klubi kryeqytetas, që drejtohet nga Sami Sermaxhaj, ka afruar disa lojtarë cilësorë si Hyseni, Dajaku, Lushtaku, Elshani etj. “Gjatë stinorit vjeshtor kemi lëshuar shumë pikë në ndeshje të menduara si të fituara. Një klub si Prishtina nuk mund të jetë në vendin e 10-të në tabelë. Prezenca ime këtu që nga dita e parë dëshmon besimin te një Prishtinë ndryshe në stinorin pranveror.

I sfidoj të gjitha klubet, duke thënë se titulli kampion do të vijë në Prishtinë, pavarësisht se na ndajnë 13 pikë nga vendi i parë, Ferronikeli. Ne besojmë te lojtarët dhe stafi teknik me Sermaxhajn në krye”, është shprehur dje me optimizëm Muçiqi.

Ndërsa vetë Sermaxhaj kërkon të qëndrojë me këmbë në tokë. “Na pret një start i vështirë me dy transferta. Nëse fitojmë në Hajvali, atëherë pajtohem plotësisht me kryetarin Muçiqi. Gjithç- ka do të varet nga këmbët tona, unë besoj te grupi, prandaj dhe e kam pranuar ofertën e Prishtinës”.

Llapi I ardhur nga Liga e Parë, pakkush ka besuar se djemtë e drejtuar nga Tahir Batatina do të renditeshin të dytët pas fazës së parë. Llapi i Podujevës ka qenë surpriza e kampionatit. Trajneri Batatina ka të tjera ambicie. “Askush nuk ka pse surprizohet nga Llapi, pasi jemi një klub që ka financa të garantuara, kushte model stërvitjeje e trajtimi, por mbi të gjitha profesionalizëm.

Në fillim ishin skeptikë ndaj nesh, por puna e bërë dhe rezultatet na kanë shndërruar në një ekip që na kanë frikë të gjithë. Po zhvillojmë një fazë përgatitore mjaft të mirë këtu në Kavajë dhe, me këtë rast, falënderoj kryesinë e klubit”.

Besa e Pejës E renditur në vendin e 5- të pas fazës së parë, Besa e Arbnor Morinës ka thyer rekordin historik të Kosovës, duke mos pësuar asnjë gol në shtëpi në gjithë fazën e parë. “Kemi zhvilluar një fazë të parë të mirë, por kemi lëshuar pikë kryesisht në 10 minutat e fundit në disa takime. Besa ka pasur ‘armik’ të saj vetëm vetveten.

Në këtë periudhë po djersijmë fort që të mos përsërisim gabimet e fazës së parë. Besën vjet e mora në vendin e parafundit dhe humbëm titullin javën e fundit. Kam besim se në pjesën e mbetur të sezonit do të shfaqemi më të fortë dhe objektivi ynë mbetet, pse jo, titulli”, thotë fillimisht Morina për të treguar më pas rreth prurjeve të lojtarëve kosovarë në Superioren shqiptare.

“Më gëzon fakti që 30 lojtarë nga Kosova luajnë në Superligën shqiptare, por më habit fakti se, ndërsa këta lojtarë i kemi përgatitur ne trajnerët e Kosovës, asnjë prej tyre nuk preferohet nga skuadrat shqiptare. Thënë ndryshe, djersën tonë e duan, ndërsa ne që i kemi formuar jo.

Mos harroni se ne punojmë në kushte shumë më të këqija se në Shqipëri në të gjitha drejtimet, por kemi prodhuar lojtarë cilësorë për Shqipëri e Europë. Imagjinojeni nëse do të punonim në kushtet e kampionatit shqiptar.

Presidentët e klubeve të Superiores shqiptare duhet që të hedhin sytë edhe nga tregu i trajnerëve kosovarë, pasi ju siguroj se qëndrojnë shumë më lart se disa trajnerë që qarkullojnë në vetëm 3 klube apo bëjnë rolin e drejtorit teknik. Nëse Kosova pranohet në FIFA, jam i bindur se lojtarë nga Shqipëria do preferojnë të vijnë te ne”, ka përfunduar trajneri i pejanëve.

Liria e Prizrenit Ndër klubet që ka bërë histori në futbollin kosovar gjatë kohës së ish-Jugosllavisë mbetet Liria e Prizrenit. Ndryshe nga historia e artë e këtij klubi, aktualisht prizrenasit luftojnë për mbijetesë.

Trajneri Erdogan Celina tregohet modest, teksa thekson se qëndrimi në “Raifaisen Superliga” mbetet objektivi i Lirisë. “Po zhvillojmë një fazë përgatitore në kushte mjaft të mira. Jam i kënaqur nga angazhimi i djemve dhe personalisht besoj se do ta tejkalojmë edhe objektivin.

Liria është një klub me histori dhe prodhon mjaft talente. Ne vërtet s’mund të shpallemi kampionë, por e kemi detyrim t’u ikim vendeve të fundit”, tregon trajneri i Lirisë së Prizrenit, që në vitet e fundit ka pasur në përbërje edhe lojtarë të ardhur nga kampionati shqiptar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"