Kategoria Superiore U-19 / Partizani super, ngec Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2017 | 13:03

Kategoria Superiore U-19 / Partizani super, ngec Flamurtari

GRUPI A

Të kuqtë nuk përmbahen, shou me Porton

Partizani vijon me fitore dhe ruan kreun e grupit A për të rinj. Skuadra që drejtohet nga Ylli Shehu ka triumfuar 5-1 ndaj Portos, edhe pse lezhjanët kanë rezistuar mirë në pjesën e parë. Vetëm në një episod të minutës së 19-të, të kuqtë kaluan në avantazh me anë të kapitenit Brahimaj. Ndërsa në fraksionin e dytë, skuadra e Portos nuk ka mundur dot të përballojë furinë e të kuqve, të cilët kanë qenë të papërmbajtshëm në lojën e tyre.

Partizani U-19

Partizani feston një nga golat e fitores

Që në startin e së dytës, Hima dyfishon shifrat. Më pas, Kumanova dhe Agalliu, shënojnë golat e radhës, ndërsa Pllumbi shkakton një autogol dhe shifrat shkojnë 5-0. Më pas skuadra e Portos është ngushëlluar me golin e Pjetrit në minutën e 60-të. Pas këtij triumfi të merituar në shtëpi, skuadra e Shehut ruan vendin e parë në grupin A, me dy pikë më shumë se Tirana ndjekëse. Në javën e ardhshme të kuqtë luajnë ndaj Internacionalit, ndërsa bardheblutë rivalë përballen me Vllazninë në transfertë.

Abdulla Dushku

Partizani - Porto U19

Tirana përmbys Kukësin

Lojtarët e Tiranës e morën lehtësisht Kukësin dhe për pak e pësuan. Gjatë fraksionit të parë, miqtë shënuan me Beshirin dhe Kashtanjevën, duke vendosur në pikëpyetje fitoren e kryeqytetasve. Por, me fillimin e fraksionit të dytë futja në lojë e Berishës ndryshoi lojën. Fillimisht Zenuni dhe më pas Berisha dhe Bardhi në fund përmbysën gjithçka.

Abdulla Dushku

Tirana - Kukesi U19

Shkëndija mund Vllazninë

Ndeshja më e rëndësishme e grupit A mes shkollës së mjeshtërisë sportive dhe skuadrës shkodrane, Vllaznia. Shkëndija ka marrë një fitore të rëndësishme ndaj rivalëve të saj për zonën “play-off”. Ka mjaftuar goli i Avdillarit në minutën e 21-të që vendësit të merrnin tri pikë. Ka qenë një lojë mjaft e bukur, por që u shënua vetëm një gol.

Abdulla Dushku

Shkendija T. - Vllaznia U19

Ngjitet Akademia e Fagut

Në një ndeshje pothuajse të barabartë gjatë pjesës së parë, ku nuk kanë munguar as gjuajtjet në portë, por as dhe rastet e pastra, Akademia fitoi ndaj Briansit. Me fillimin e fraksionit të dytë, skuadra e Akademisë shënoi me anë të Brahilikës. Më pas ky gol u pasua nga ai i Arbër Bashës, duke vulosur fitoren e ekipit të Erbim Fagut.

Abdulla Dushku

Akademia - Brians U19

Pikë shprese për Laçin

Internacionali është befasuar në fillimin e ndeshjes me Laçin dhe nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1. Që në minutën e tretë, Përkeqi ka arritur të dalë i vetëm me portierin dhe të zhbllokojë rezultatin. Më pas vendësit kanë ushtruar presion të vazhdueshëm, por golin e barazimit e kanë gjetur vetëm në minutën e 71-të me anë të Shehut.

Internacional - Laci U19

Abdulla Dushku

U-19 A

GRUPI B

Humbin vlonjatët, tension në Pogradec

Flamurtari ka pësuar humbjen e parë për këtë kampionat, pikërisht në transfertën e Pogradecit. Një gol ka vendosur këtë takim delikat, mes dy skuadrave që kanë objektiva të kundërta. Kryesuesit vlonjatë dhe liqenorët, që luftojnë për të qëndruar në Superiore, zhvilluan një ndeshje që i pati të gjitha. Dy lojtarë të Flamurtarit dolën me të kuq, ndërsa trajneri Dritan Resuli akuzoi gjyqtarin për favorizim të Pogradecit.

“Më vjen keq që pësojmë një humbje të pamerituar, të ndodhur nën një presion të pashpjegueshëm. Është e papranueshme që në një ndeshje të rinjsh të bëhet protagonist gjyqtari, duke favorizuar hapur Pogradecin pas presioneve që drejtuesit e klubit vendës i bënë. Ishte një atmosferë mbytëse, ku vendësit me çdo mënyrë kërkuan të fitonin dhe arbitri iu dorëzua presionit”, ka thënë dje Resuli.

Goleadë dhe humor, Teuta bie në Korçë

Skënderbeu ka shkatërruar Teutën në një ndeshje që ka nisur me humor. Ambulanca ishte larguar dhe kjo për shkak se shoferi i ri i saj, pas përfundimit të takimit të paratërinjve, mendoi se gjithçka u mbyll. Pasi po luhej minuta e 14-të, delegati dhe gjyqtari ndërprenë lojën, derisa ambulanca u rikthye sërish. Korçarët fituan me pesë gola.

Llazi Saro

Skenderbeu - Teuta U19

Elbasani, vetëm “X”

Elbasani dhe Besa janë ndarë në një barazim pa gola. Ka qenë një lojë e fortë nga të dyja ekipet, por rastin më të mirë për të kaluar në avantazh e kanë pasur vendasit, me Lleshin që gaboi nga pika e bardhë e penalltisë në pjesën e dytë. Edhe kavajasit kanë pasur mundësi për të shënuar, por gjithsesi ndeshja u mbyll në barazim pa gola.

Vladimir Mema

Elbasani - Besa U19

Në Durrës ndajnë pikët

Shkëndija e Durrësit dhe Dinamo kanë ndarë nga një pikë në ndeshjen e djeshme. Të parët që kanë kaluar në avantazh ishin miqtë me anë të Ramajt. Shkëndija ka hasur shumë vështirësi për të gjetur golin e barazimit dhe ia ka arritur në minutën e 70-të, kur Cuka goditi bukur brenda zonës. Deri në fund pati edhe raste të tjera, por asgjë nuk ndryshoi.

Jeton Rexhmati

Shkendija D. - Dinamo U19

Veseli nderon blutë

Skuadra e Akademisë së Dinamos i është falur golit të shënuar nga Veseli në minutën e 76-të. Ka qenë një ndeshje pothuajse e barabartë dhe me sulme e kundërsulme nga të dyja skuadrat. Por, fati ishte me skuadrën që drejtohet nga trajneri Ilir Spahiu, pasi Veseli diti të shfrytëzojë një prej rasteve, duke kaluar skuadrën e tij në epërsi.

AF Dinamo - Lushnja U19

Abdulla Dushku

U-19 B

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"