Kategoria Superiore U-17 / Ndalet Vllaznia, “çmendet” Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2017 | 19:56

Kategoria Superiore U-17 / Ndalet Vllaznia, “çmendet” Tirana

GRUPI A

Bardheblutë, tetë gola dhe… festë

Tirana e Sulejman Memës, edhe pse me shumë mungesa, ka shpartalluar Olimpikun e Alpin Gallos, duke shënuar tetë gola dhe u afruar vetëm me një pikë me Vllazninë kryesuese. Tripletat e Çelës dhe Veriut, si dhe golat e Bashës dhe Brahjes kanë bërë që Olimpiku të dorëzohet pa kushte. Edhe pse vendësit kanë reaguar me dopietën e Dallashit, i cili u aktivizua në pjesën e dytë, nuk e patën forcën e duhur për të përballuar bardheblutë. Ndërkohë, për sulmuesin e Tiranës, Redi Veriu, ka qenë një ditë e veçantë, pasi në ditën e ndeshjes ka mbushur 17 vjeç dhe i ka bërë dhuratën më të bukur vetes, duke realizuar tri herë.

Tirana U-17

Pas ndeshjes të gjithë lojtarët e Tiranës janë qerasur nga ana e tij, ndërsa bashkë me prindërit e disa prej futbollistëve kanë vazhduar festën në një nga lokalet e kryeqytetit. Trajneri Mema është shfaqur i lumtur pas ndeshjes, ndërsa tashmë kërkon që lojtarët e vegjël të vazhdojnë me fitore edhe në finalen e Kupës së Shqipërisë.

Abdulla Dushku

Olimpiku - Tirana

Surprizë në Shkodër, Internacionali ndal Vllazninë

Internacionali i bëri dje surprizën më të pakëndshme Vllaznisë, duke i shkaktuar humbjen e parë për këtë kampionat. Skuadra e drejtuar nga shkodrani Elvis Plori shënoi dy gola që në pjesën e parë me anë të Bozhanajt dhe Karajt, ndërsa më pas administroi më së miri lojën. Kuqeblutë tentuan me të gjitha mënyrat, por nuk shënuan asnjë gol.

Admir Uruçi

Vllaznia - Internacional

“Poker” i Akademisë

Akademia e likuidoi Porton, duke shënuar katër gola. Loja ka nisur e qetë, por shumë shpejt janë paratërinjtë miq që e kontrollojnë totalisht. Koleci, Xheka, Tuci dhe Peposhi u bënë protagonistë të golave për skuadrën e Ardit Bozos. Porto u mundua të shënonte të paktën një gol, por mbrojtja e Akademisë ishte në lartësinë e duhur.

Preng Gjikola

Porto - Akademia

Partizani bie në Laç, zhgënjen edhe Shkëndija

Partizani dhe Shkëndija e Tiranës kanë humbur në transfertë. Kukësi ka fituar 2-1 ndaj skuadrës së shkollës së mjeshtërisë sportive “Loro Boriçi”. Ka qenë një lojë shumë e luftuar, por me veriorët më kërkues, që në fund kanë merituar triumfin.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Laç, ku vendësit kanë mposhtur Partizanit me shifrat 2-1. Të kuqtë nuk kanë qenë në një ditë të mirë, duke lënë tri pikë të rëndësishme. Pas kësaj fitoreje, kurbinasit u ngjitën në tabelë, duke lënë fundin dhe tashmë është më i qetë për vazhdimësinë e kampionatit. Nga ana tjetër, Partizani i Nikolin Çoçllit duket se më shumë kërkon të pozicionohet në mes të tabelës, pasi me vetëm 13 pikë ka dalë nga gara për kreun.

U-17 A

GRUPI B

Flamurtari e nis vitin me fitore

Flamurtari kryesues i grupit B e ka nisur vitin me fitore ndaj Shkëndijës së Durrësit. Ka mjaftuar një gol i Rrapajt, që vlonjatët e drejtuar nga Sherif Idrizi të marrin tri pikë. Ishte një ndeshje ku rezultati mund të kishte qenë edhe më i thellë, nëse skuadra vendëse do të shfrytëzonte rastet e krijuara para porte. Shkëndija ka preferuar kundërsulmet, për të gjetur ndonjë hapësirë, por mbrojtja e Flamurtarit ka qenë në një ditë shumë të mirë, duke mos lejuar kundërshtarin të depërtojë në zonën e vet. Rrapaj ka shënuar një gol pas goditjes në afërsi të zonës.

Kjo ka rezultuar vendimtare për skuadrën vlonjate, që vijon e qetë garën, me synimin që t’i shkojë deri në fund, duke marrë pse jo edhe titullin kampion për U-17. Aktualisht kuqezinjtë e trajnerit Idrizi kryesojnë tabelën me 30 pikë, vetëm dy më shumë se Teuta, që është ndjekësja më e afërt e Flamurtarit.

Kastriot Brahimaj

Flamurtari - Sh. D.

Teutës i mjafton Hoxha

Teuta ka marrë tri pikë ndaj Elbasanit, edhe pse ekipi i Kuçit krijoi shumë raste, por që arriti të shënonte vetëm një gol me anë të Hoxhës. Durrsakët shpërdoruan momente të mira shënimi, ndërkohë që Elbasani u mundua t’i ndëshkonte vendësit me anë të kundërsulmeve. “Djemtë e detit”, pas kësaj fitoreje, pozicionohen në vendin e dytë në renditje.

Jeton Rexhmati

Teuta - Elbasani

Dinamo, leksion korçarëve

Dinamo ka fituar 3-1 ndaj Skënderbeut, në një ndeshje që ka kënaqur mjaft të pranishmit, sidomos gjatë pjesës së parë, ku blutë shënuan dy gola. Miftari dhe Masha në vetëm 17 minuta lojë realizuan për Dinamon, duke shokuar Skënderbeun. Në pjesën e dytë, korçarët shkurtojnë shifrat me Liqerin, por më pas është Qoshku që nuk u lë asnjë shpresë miqve.

Abdulla Dushku

Dinamo - Skenderbeu

Lushnja thyen Pogradecin

Lushnja-Pogradeci nisi në orën 11:00, pasi liqenorët mbërritën në “Roza Haxhiu” 35 minuta me vonesë. Lushnja fitoi 2-0, duke iu rikthyer fitores pas nëntë javësh. Peqini shënoi nga pika e bardhë golin e avantazhit në pjesën e parë, ndërsa në fillim të së dytës, Bejte dyfishoi rezultatin. Pogradeci ishte i pafuqishëm për të reaguar.

Alban Alushi

Lushnja - Pogradeci

Spektakël në Kavajë

Besa dhe AF Dinamo kanë zhvilluar dje në Kavajë një ndeshje spektakolare, teksa në fund fitorja u buzëqeshi miqve. Verdhezinjtë janë befasuar kur dinamovitët e vegjël nuk kanë gabuar në tre raste njëri pas tjetrit. Fillimisht ka shënuar Basha, e më pas Muçi dhe përsëri Basha. Blutë e Ergi Lubanit ishin të papërmbajtshëm.

Besa - AF Dinamo

Feriz Ferizaj

U-17 B

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"