Kastrioti mori një pikë mes tensionit në Lushnjë. Trajneri Ndreu: Larguam stresin, i dhamë prioritet mbrojtjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2024 | 14:13

Kastrioti mori një pikë mes tensionit në Lushnjë. Trajneri Ndreu: Larguam stresin, i dhamë prioritet mbrojtjes

Lushnja dhe Kastrioti barazuan pa gola në stadiumin “Roza Haxhiu”, në një ndeshje shumë të tensionuar. Skuadra e trajnerit Gugash Maganit mbeti në zonën e “play out”-it, pa mundur të bëjë rokadën me Kastriotin në renditje.

lushnja kastrioti

Ndërkohë, krutanët arritën të rezistojnë dhe atyre u mjaftojnë tri pikë shtëpie në javën e fundit për të shpëtuar.

PJESA E PARË – 2000 shikues ishin të pranishëm në stadium për të ndjekur takimin. Shifra më e lartë e sezonit, në ndeshjen më të rëndësishme për lushnjarët. Takimi nis me vrull për të zotët e shtëpisë. Lushnja godet shtyllën që në minutën e parë. Kros i lartë i Endri Maganit nga e djathta, brenda zonës topi goditet nga Preknicaj drejt portës, por sfera përplaset në shtyllën pingule. Më pas, vonesat dhe dëmtimet e zbehin ritmin e lojës. Lushnja i afrohet golit në të 30-ën. Tabaku kroson nga e djathta, Kasmollari brenda zonës godet me kokë, por topi pasi përplaset në tokë dhe përfundon jashtë.

Fundi i pjesës së parë prodhon tension. Situata u acaruar kur gjyqtari i katërt Mikele Dyrmishi akordoi vetëm dy minuta shtesë. Për shkak të vonesave të shumta, lushnjarët pretenduar më të tepër. Loja u ndërpre disa minuta në fund të pjesës së parë, ku miqtë protestuan për një faull në favor të Lushnjës. Ka qenë një protestë e ashpër trup më trup me kryesorin Shahini. Situata u tensionua edhe më shumë, kur topi i vendosur nga lushnjarët në një goditje dënimi, u godit nga Neziri i Kastriotit që ndëshkohet me karton të verdhë. Kjo ndërprerje u kompensua vetëm me dy minuta shtesë, që acaroi lushnjarët.

PJESA E DYTË – Vendasit kanë një mundësi të mirë në të 64-ën, por topin e rikthyer nga portieri Malaj, Lëru e dërgon jashtë. Minuta 74, lushnjarët pretenduan për një penallti për tërheqje nga fanella të sulmuesit Olola. Gjyqtari dha goditje këndi dhe në fushë hynë drejtuesit e Lushnjës. Kryesori Shahini ndëshkoi me karton të kuq drejtorin sportiv të Lushnjës Mario Sula. Në minutën e 98-të, vendasit pretendojnë për një tjetër penallti, teksa në zonë rrëzohet Ruço dhe takimi mbyllet me protestat e vendasve ndaj gjyqtarit Shahini.

TENSIONI NË FUND – Pas vërshëllimës përfundimtare krutanët nisin festën në rrethin e mesfushës, ndërsa te vendasit dëshpërimi është shumë i madh. Pas disa minutash nisin konfliktet mes lojtarëve të Lushnjës dhe Kastriotit. Fusha e lojës, edhe pse ka përfunduar ndeshja, është një kaos i vërtetë. Në fushë hyn policia bashkiake dhe ajo e rendit për të qetësuar situatën. Lojtarët e Kastriotit dhe trajneri Ndreu qëndrojnë disa minuta pas ndeshjes në fushë, teksa u prit të qetësohej situata edhe në tribunën qendrore. Forcat e policisë shoqërojnë gjyqtarët drejt dhomave të zhveshjes, ndërkohë që nga tribuna hidhen bidonë plastikë në drejtim të tyre. Pas disa minutash largohen edhe lojtarët e Kastriotit, së bashku me trajnerin Ndreu. Përballja mes Lushnjës dhe Kastriotit përfundoi pa gola me krutanët thuajse të shpëtuar, ndërsa lushnjarët me të gjitha gjasat do të jenë në “play-out”, për të dytin sezon radhazi.

Trajneri i Kastriotit

Ndreu: Larguam stresin, i dhamë prioritet mbrojtjes

Ramadan Ndreu, trajneri i Kastriotit, pas barazimit në Lushnjë, për “Panorama Sport” u shpreh: “Më vjen keq që përplasen në këto pozita dy skuadra, që për Kategorinë e Parë janë elitare, por që e kanë treguar edhe në Superiore. Mendoj se të dy ekipet kanë nënvlerësuar shumë duke ditur që janë të mëdha për Kategorinë e Parë. Arritëm në fund të përplaseshim në Lushnjë, në një sfidë shumë të vështirë. Të dy ekipet ishin në kërkim të shpëtimit nga “play out”-i. Fati ndoshta ishte me ne. E gjithë loja ishte ndërtuar te kujdesi në fazën e mbrojtjes që të mos i linim hapësira kundërshtarit.

Ramadan Ndreu, trajneri i Kastriotit

E dinim që Lushnja nuk kishte rrugë tjetër. Fati ynë ishte që luanim për dy rezultate, barazim dhe fitoren, ndërsa Lushnja donte fitoren, për të cilën do të linte hapësira. Edhe për hapësirat që do të linte, i porosita lojtarët të jenë të kujdesshëm në daljet e para, se mund të zbuloheshim prapa. Besoj që në këto 100 minuta, në fazën e mbrojtjes, skuadra ishte në perfeksion. Morëm atë që kërkuam. Kaluam një stres shumë të madh, që uroj mos ta përjetojnë skuadra të tjera.

Kemi edhe një ndeshje të fundit brenda, do të japim maksimumin. Është ndeshje finale, “jetë a vdekje”. Mendoj se me Korabin e mbyllim. E kemi deklaruar që në fillim të sezonit se nuk pretendonim Superioren. Kemi kushte të vështira, nuk kemi stadium. Nëse për 3-4 vjet shkonim sa në një fushë në tjetrën, ishte rëndesë e madhe financiare. Kështu që, këtë vit menduam të rrimë në Kategorinë e Parë. Kam besim që mund të fillohet edhe nga puna për stadiumin. Mund të pretendojmë. Gjithsesi, është e hapur. Varet se çfarë objektivash ka dhe presidenca”.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"