Kartoni i kuq “tërbon” Kukësin, sulmuesi brazilian në prag divorci me klubin verilindor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2023 | 10:05

Kartoni i kuq “tërbon” Kukësin, sulmuesi brazilian në prag divorci me klubin verilindor

Te Kukësi ka një çështje “Barbosa”. Ndeshja e fundit ndaj Bylisit, ku sulmuesi brazilian, Gabriel Barbosa Avelino, u fut në lojë si zëvendësues dhe e la ndeshjen para kohe për shkak të kartonit të kuq, ka bërë që në klub të sosë durimi.

barbosa

Sjellja e futbollistit nuk është përtypur nga drejtuesit, sepse la skuadrën në baltë, në një kohë kur ekipi ka më shumë nevojë se kurrë për cilësitë e tij.

Edhe më herët gjatë këtij kampionati verilindorët kanë vuajtur nga daljet e lojtarëve me karton të kuq dhe kanë paralajmëruar që situata të tilla të mos përsëriten më, sidomos kur lojtari ndëshkohet me kartonë të panevojshëm.

Duket se midis palëve ka nisur një “luftë e ftohtë”, me Barbosën në kahun tjetër që nuk ka përtypur mirë lënien në stol, ku edhe në të kaluarën ka shfaqur nervozizëm në momentin që është zëvendësuar.

Një situatë e tillë mund të sjellë edhe masa nga ana e drejtuesve, ndërsa mbetet e hapur mundësia që palët të gjejnë si zgjidhjen më të mirë ndërprerjen e bashkëpunimit, edhe pse largimi i tij do të sillte një problem jo të vogël për sulmin, duke qenë se alternativa e vetme mbetet Kejdi Daci.

Pritet vendimi që do të merret, por për aq kohë sa merkatoja e janarit është ende e hapur, mundësia më e madhe është që lojtari të largohet. Barbosa erdhi te Kukësi si një lojtar që do t’i garantonte golat në kampionat, por ka qenë shumë larg pritshmërive, duke shënuar vetëm dy gola në 13 ndeshje.

SITUATA Barazimi në Ballsh pa gola u pa me “gotën gjysmë plot” nga ana e trajnerit Hallaçi, por në fakt pas rezultateve të kësaj jave verilindorët kanë zbritur në fundin e klasifikimit.

Një situatë e panjohur më parë për blutë në elitën e futbollit shqiptar, të cilët tani duhet të mendojnë seriozisht qëndrimin në kategori. Fillimisht klubi hyri në garë me objektivin për t’u shpallur kampion, pistë që u zbeh që në javët e para.

Më pas, shpresuan që së paku të luftonin për Europën që të shpëtonin sezonin, por edhe ky objektiv u venit ende pa u mbyllur dy fazat e para.

Tani, objektivi primar është mbijetesa dhe janë të gjitha mundësitë për ta realizuar, por në një kohë që rezultatet mungojnë, presioni sa vjen e rritet.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"