Kapiteni Dimo i bindur: E mundim Lushnjën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2017 | 10:51

Kapiteni Dimo i bindur: E mundim Lushnjën

Atmosfera te skuadra e Apolonisë në prag të ndeshjes ndaj Lushnjës është mjaft pozitive. Megjithatë, trajneri Elidon Demiraj është munduar që të ulë euforinë në grupin e lojtarëve, duke u përqendruar te derbi, që do të jetë një sfidë mjaft e vështirë. Objektivi i fierakëve është që ngushtojnë sa më shumë diferencën me ekipet që kryesojnë grupin dhe për të arritur këtë nuk duhet bërë asnjë hap fals.

Dimo Apolonia

“Derbi myzeqar, pavarësisht renditjes së dy skuadrave ka prodhuar ndeshje të bukura me rivalitet dhe luftë të fortë sportive. Do të jetë një sfidë e vështirë, të cilën ne po e vlerësojmë si duhet gjatë punës sonë dhe duke njohur dhe lojën e kundërshtarit po marrim masat e duhura jo vetëm për ta rivalizuar atë, por edhe për të triumfuar.

Skuadra po kalon momente të mira dhe ndihet në formë, çka e tregoi dhe javën e shkuar në takimin ndaj Elbasanit në transfertë. Ne si lojtarë jemi të përqendruar tërësisht te kjo sfidë, duke u betuar se do të japim maksimumin për të marrë trepikëshin”, ka thënë kapiteni i Apolonisë, Amarildo Dimo, i cili është edhe një nga lojtarët me më shumë përvojë në skuadër.

Rekordi

Lushnja nuk fiton prej 44 vitesh në stadiumin “Loni Papuçiu” dhe sipas Dimos një gjë e tillë nuk do të ndodhë edhe në takimin e radhës. “Lushnja ka 44 vite pa fituar në fushën tonë dhe jemi të bindur se kështu do të ndodhë edhe në këtë ndeshje. Ndaj Lushnjës është një ndeshje e vështirë dhe e rëndësishme për vazhdimësinë ndaj u bëj thirrje tifozëve që të jenë sa më të shumtë për të na inkurajuar e përkrahur në këtë ndeshje derbi. I premtoj se nuk do të zhgënjehen, ndaj i ftoj që ta fitojmë së bashku këtë takim”, ka thënë kapiteni.

Ekipi

Trajneri Demiraj është duke punuar për ndërtimin e një formacioni fitues në këtë ndeshje dhe do ta ketë mundësinë për një gjë të tillë, pasi grupi i lojtarëve është i plotë. Rikthimi i portierit Cako jep garanci, ndërkohë që mungesa e vetme është ajo e mbrojtësit Mehmeti.

MIKEL MBRIÇAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"