Kapiteni Çela: Jam tifoz i këtij ekipi, të gjithë do ta vuajnë Lushnjën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2017 | 17:10

Kapiteni Çela: Jam tifoz i këtij ekipi, të gjithë do ta vuajnë Lushnjën

Edhe pse në moshën 36-vjeçare, kapiteni i Lushnjës, Gentian Çela nuk ka ndërmend të largohet nga futbolli i luajtur. Mesfushori myzeqar është gjithmonë gati për të kontribuar për skuadrën e tij dhe shprehet optimist për ecurinë e verdhjeshilëve në Kategorinë Superiore.

Cela

Në një prononcim për “Supersport” Çela tregon se Lushnja e meriton të jetë në këtë kategori dhe se skuadrat pretendente do e kenë shumë të vështirë të fitojnë në stadiumin “Roza Haxhiu”, kjo e për shkak të tifozerisë të zjarrtë.

Rikthimi në Kategorinë Superiore

“Kishim dy vjet që e provonim të riktheheshim në Superiore, aty ku na takon si qytet, si fanellë dhe si emër ekipi. Për sa i përket pjesës time do të jam gjithmonë maksimumin kur të më kërkohet. Unë mundohem të bëj më të mirën time. Jam edhe tifoz i këtij ekipi dhe do të jem gjithmonë serioz dhe i fokusuar në maksimum për të dhënë më të mirën.”

Vuajtja e kundërshtarëve

“Vështirësinë e Superiores e njohim, grupi i lojtarëve e ka eksperiencën e duhur për këtë kategori. Iu siguroj të gjithëve që do ta vuajnë shumë Lushnjën, edhe ekipet që pretendojnë edhe ekipet që e mendojnë veten të fortë se ne.”

Tifozeria

“Tifozat e dinë shumë mirë që pa ata vështirësohet edhe puna e mbijetesës. Për sa kohë ata do jenë pranë ekipit dhe të shumtë në numër, edhe ndeshjet që mund të mendohen se nuk fitohen, me mbështetjen e tifozëve e kemi treguar dhe mund të arrijmë të fitojmë.”

Objektivi personal

“Të jap maksimumin në fushë sa herë do t’i duhem ekipit. Shpresoj të luaj sa më shumë minuta.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"