Kanë vetëm 1 pikë në 3 javë, befason presidenti Noka: Jemi OK, më ka bindur loja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2021 | 23:08

Kanë vetëm 1 pikë në 3 javë, befason presidenti Noka: Jemi OK, më ka bindur loja

Kanë vetëm një pikë në 270 minuta të luajtura, por në Lezhë nuk e bëjnë dramë. Besëlidhja prodhon lojë dhe kjo jep shpresë. Në këtë linjë është edhe presidenti Gjok Noka, i cili nuk ngurron që t’i japë besim ekipit dhe stafit. E megjithatë, tani pret kthesën. E ka të qartë se me Korabin nuk do ta kenë të lehtë, por mendon se ka ardhur koha për të shijuar fitoren e parë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i klubit thotë:

Noka

“Ndryshuam strategji këtë vit, duke ndërtuar ekip me moshë të re. Pikët ndoshta mungojnë, por nuk ka vend për pezmatim. Këtë e them duke u bazuar te loja që kemi prodhuar. Me performancën jam i kënaqur, pasi nga ndeshja në ndeshje po njohin trend pozitiv dhe kjo është e rëndësishme. Kemi bërë analizë të detajuar të tri javëve të para dhe dolëm në konkluzionin që Besëlidhja funksionon.

Gjithsesi, kemi ende shumë punë për të bërë për të shkuar drejt misionit që kemi. Kam besim maksimal te grupi dhe stafi teknik, jam i bindur se kthesa e madhe nuk do të vonojë dhe gjithçka do të shkojë në rrugën e duhur. Mbështetja nga do të mungojë, por tani dua që të shpërblehemi me rezultate. Kalendari na vendos përballë një transferte delikate. Udhëtojmë në Peshkopi, për të luajtur me Korabin.

E lehtë nuk është, po as e pamundur. Kemi shanse të mëdha që ta kalojmë me sukses”. Teksa flet për lojtarët e prodhuar në breza te Besëlidhja, presidenti ndalet tek Edison Ndreca. Edhe pse luan te Kukësi, duket se Noka është tifoz personal i tij dhe pret që shpejt ta shohë edhe në Kombëtare.

“Besëlidhja është një ekip që ndër breza ka kultivuar futbollistë cilësorë. Një ndër ta është edhe mbrojtësi i majtë, Edison Ndreca, i cili po shkëlqen te Kukësi. Një lojtar që duhet të jetë në Kombëtare dhe shpresoj që të grumbullohet nga Edi Reja, pasi do ishte vlerë e shtuar”, përfundoi presidenti.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"