Kamza “bija” e Tiranës, ndaj Partizanit një derbi zemrash

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2017 | 9:27

Kamza “bija” e Tiranës, ndaj Partizanit një derbi zemrash

Derbet e kryeqytetit gjithmonë kanë tërhequr vëmendjen e publikut. Megjithatë, këtë sezon rënia e Tiranës ka bërë që të humbin duelin e madh të kryeqytetit, atë që gjithnjë ndizte edhe stadiumet. Dhe dashur pa dashur mungojnë jo vetëm deklaratat e forta në media, por edhe parapërgatitjet klasike që bënin dy tifo-grupet më të mëdha në vend, “Ultras Guerrils” dhe “Tirona Fanatcis”.

Kamza ne stervitje

Bardheblutë nuk janë më në Kategorinë Superiore, ku për të parën herë në historinë e tyre po provojnë që të luajnë në Kategorinë e Parë. Kështu ka ngjarë vite më parë edhe me Partizanin, madje të kuqve u shkoi edhe më keq, ndërsa iu desh që të provonin edhe të Dytën. Edhe pse janë rivalë të përbetuar, në heshtje është pranuar që pa njëra-tjetrën nuk bëjnë dot.

Dhe humbja më e madhe është pikërisht derbi, pasi në këtë kampionat përveç faktit që në fushë nuk do të shohim që të zbresin në të kuqtë dhe bardheblutë, por as nuk do të kemi luksin që të shohim stadiumet e tejmbushura, entuziazmin e tifozëve dhe mbi të gjitha parullat thumbuese.

E megjithatë, ngushëllimi vjen prej Kamzës. Edhe pse një skuadër “e vogël” në përmasa historike (edhe pse është krijuar 10 vite më herët se Partizani), duhet thënë se kanë lidhje “gjaku” me rivalin e vjetër të të kuqve, pasi është themeluar nga ish-Kryetari i SK Tiranës, Fuat Toptani, në vitin 1936 dhe sekretari i asaj kohe Selman Stërmasi.

Kamza fotoja zyrtare

Ndaj, Kamza është “bija” e Tiranës së madhe. A është në gjendje kjo skuadër të rivalizojë në përmasa derbi tradicional atë mes Partizani-Tirana? Kësaj pyetje nuk mund t’i japësh një përgjigje konkrete. E megjithatë kur janë luajtur 8 javë, hapin e parë kamzalinjtë e kanë hedhur, pasi janë një “kat” më lart në renditje.

Ata pozicionohen të 4- tët, ndërsa skuadra e Mark Iulianos në të 5-in. Rëndom ndodh që ekipet e ngjitura luftojnë për mbijetesë, megjithatë Kamza po kalon pritshmëritë, të paktën deri në këtë fazë. Partizani vazhdon të ketë synim madhor titullin e munguar prej 24 viteve, por me këtë nisje janë realisht larg realizimit të ëndrrës. Mungesa e Partizani-Tirana tashmë është një fakt dhe për t’i zëvendësuar bardheblutë po mendojnë kamzalinijtë.

Rezultatet e deritanishme bëjnë që gjithçka të jetë mundur, ndaj edhe në këtë ndeshje Kamza do të zbresë në fushën e lojës për të bërë befasinë. Këtë mundet ta konsiderojmë si një derbi të kryeqytetit. Mes të gjitha sfidave që do të luhen në fazën e parë të kampionatit, java e fundit na rezervon derbin e vetëm të kësaj kategorie.

kamza-02

Diferencat janë realisht të mëdha, megjithatë Tiranën në një lloj forme do ta bëjë Kamza të shtunën. Dhe tifozët kamzalinj po mundohen që të përligjin termin “derbi”, që prej ditësh kanë nisur përgatitjet për të ofruar një ambient spektakolar.

Por, duhet thënë që edhe mes kamzalinjve ka një ndarje, pasi nuk janë të paktë ata që bëjnë tifzollëk për Partizanin, ndaj dashur pa dashur, “urrejtja” në shkallët e stadiumit do të jetë vite-dritë larg të derbit klasik. Gjithsesi, Kamza tashmë është në elitë, ndaj derbin e vetëm të kryeqytetit do të na e mundësojë pikërisht ajo.

KAMZA – PARTIZANI, DERBI I ZEMRËS

Më mirë të thuhet derbi i zgjedhjeve të bëra me zemër, apo i mundësive? Sigurisht që aspekti sportiv i futbollit ka luajtur një rol të rëndësishëm sepse Partizani ka furnizuar me lojtar Kamzën dhe kjo e fundit u ka dhënë mundësi shumë futbollistëve të saj që të rriten, të formohen edhe në nivelet më të larta. Shumica e futbollistëve që do të jenë në fushë, i bashkon “Partizani”. Ish-ët do të mbizotërojnë këtë të shtunë në stadiumin e Kamzës.

Shumë prej lojtarëve që mbrojnë ngjyrat e Kamzës, kanë një të shkuar si të kuq. Gjithçka nis nga portieri Fabio Gjonikaj, e për të kaluar te Argent Mustafa, Sebino Plaku dhe Erlis Frashëri, Stevan Raçiç, ndaj një pjesë të shpirtit e kanë si “dema”. Një faktor që nuk përmbush kërkesat e derbit të madh, madje pa frikë këtë duel mund ta konsiderojmë si derbin e “zemrave të kuqe”

Arrbal Kamza.

Për të vërtetuar këtë, mjafton të shohësh reagimin e Stevan Raçiçit, idhullin e tifozërisë së kuqe. Kur pyetet nëse do t’i shënojë Partizanit, ai edhe pse refuzon të japë deklaratë zyrtare, me gjysmë zëri thotë: “Nuk kam zemër ta them këtë gjë, por, nëse shënoj nuk do të gëzoj”.

Në të njëjtën linjë është edhe presidenti Naim Qarri, i cili hapur shprehet: “Nuk mund t’i them çunave të mos luajnë. Por, nëse fitojnë, unë nuk do të gëzoj”. Po ashtu përgjigjen edhe futbollistë të tjerë të Kamzës që kanë qenë pjesë e “demave”, madje më nostalgjiku te Kamza për Partizanin është Fabio Gjonikaj, i cili nuk e ka “braktisur” Partizanin as në kategoritë më të ulëta.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"