“Kampionat ‘i pabesë’”, flet Nako: Devolli po i jep “leksion” të gjithëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2019 | 16:09

“Kampionat ‘i pabesë'”, flet Nako: Devolli po i jep “leksion” të gjithëve

Ka qenë Rudin Nako, kapiten i Apolonisë, në dy ndeshjet e fundit, pas mungesës së Taulant Hysenshahajt, i cili ka pasur probleme fizike dhe nuk është rrezikuar nga stafi. Nako e ka bërë mirë rolin e liderit, pasi është lojtari më me përvojë te bardhejeshilët. Javën e fundit është përzgjedhur edhe në formacionin më të mirë të Kategorisë së Parë.

NAKO 1

Në analizën e tij për gazetën, mbrojtësi i Apolonisë u gëzohet pikëve në këto javë të para, ndërsa për lojën nuk e mohon se ka mundësi për shumë më tepër. “Loja, pikët, rezultati – është ky problemi që besoj se diskutohet jo vetëm për skuadrën tonë, – thotë Nako.

– Në 4 javë kemi 3 fitore dhe 1 humbje, 9 pikë, aq sa Lushnja e vendit të dytë. A jemi atje ku duhet në nivel loje? Mendoj se ky përcaktim është subjektiv. Cila skuadër është atje ku duhet në nivel loje në kaq pak javë? Flasim për pretendentët. Futbolli është sport më masiv, ka më shumë ndjekës, por është po aq shumë problematik, po ta shohim në një kontekst më kompletar. Kur skuadra luan më mirë se kundërshtari, por humb, publiku ‘e masakron’, sepse do rezultatin, kurse kur skuadra fiton me lojë jo të mirë, prapë tifozët janë të pakënaqur, sepse i duan të dyja. Por futbolli është edhe cinik, pragmatist dhe në fund renditja bëhet mbi bazën e pikëve”.

Apolonia-gezon-me-trajnerin

Për pyetjen se cilat ekipe i sheh si pretendente në Grupin B, Nako heziton paksa.

“Është e vështirë të bësh një përcaktim që tani. Në fillim u kuotuam ne dhe Lushnja, por shihni sa mirë po bën Devolli që vjen nga Kategoria e Dytë. Ata po i japin ‘leksion’ gjithë kompeticionit, siç bëri Oriku vjet. Nuk kanë munguar rezultatet surprizë, duke treguar qartë se nuk ka ‘ndarje me thikë’ për pretendentët. Është një kampionat ‘i pabesë’ ndaj parashikimeve të bëra më herët. Ne, Lushnja dhe Besa, të cilësuar si pretendentë, mendoj se do të vuajmë në këtë rrugë të gjatë. Parashikoj një kampionat shumë të vështirë, me garë të fortë sportive për kreun dhe për mbijetesën”, thotë qendërmbrojtësi Nako, autori i të parit gol për ekipin e tij këtë sezon.

Bujar Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"