Kampion me Dinamon dhe Skënderbeun, sulmuesi i Lushnjës: Fitorja ndaj Bylisit, më e bukura e jetës sime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2017 | 14:15

Kampion me Dinamon dhe Skënderbeun, sulmuesi i Lushnjës: Fitorja ndaj Bylisit, më e bukura e jetës sime

Kapiteni i lushnjarëve në takimin e fundit të sezonit me Bylisin, Fatjon Sefa, ishte protagonisti absolut i skuadrës së trajnerit Artan Bano në fitoren e djeshme. Finalja e sezonit në Grupin B të Kategorisë së Parë, Lushnja-Bylisi, i pati të gjitha. Një gol i shënuar, një traversë dhe një karton të kuq për skuadrën ballshiote.

sefa lushnja

Suksesi i Lushnjës pa dyshim ka lidhje edhe me lojtarët që ka në përbërje, ku në ndeshjen më të rëndësishme dolën në pah vlerat e lojtarëve me eksperiencë. Pa dyshim, protagonist i rikthimit të lushnjarëve në Superiore ishte sulmuesi Fatjon Sefa, i cili ka fituar tituj kampion me Dinamon dhe Skënderbeun. 32-vjeçari ka shënuar 10 gola me Lushnjën në këtë sezon, por ai i djeshmi ndaj Bylisit ka vlerën më të madhe, pasi pas tri vitesh qëndrim në Kategorinë e Parë verdhejeshilët rikthehen në elitën e futbollit.

Kapiteni Sefa, në një prononcim të shkurtër të dhënë pas ndeshjes për “Panorama Sport”, pohoi se fitorja e djeshme është më e bukura e jetës së tij. Sipas Sefës, ekipi arriti që të përligjë dhe shpërblejë interesimin e tifozëve lushnjarë, por falënderon edhe shokët e skuadrës.

“Lushnja arriti të konkretizonte me sukses një sezon të vështirë, por që e ka dominuar grupin nga fillimi në fund. Lushnja arriti ta tregojë veten edhe në finalen e fundit duke treguar vlera dhe karakter. Ky gëzim dhe kjo fitore kaq e bukur vlen për të gjithë tifozërinë lushnjare, i cila krijoji një atmosferë të zjarrtë në shkallët e stadiumit.

Gjithashtu ky sukses shkon edhe për të gjithë çunat e ekipit, që kanë dhënë shpirtin gjatë gjithë vitit. I respektoj dhe i dua pa fund të gjithë. Për mua, fitorja e sotme (djeshme) me Bylisin, është fitorja më e bukur e jetës sime”, u shpreh kapiteni i lushnjarëve Fatjon Sefa, pas fitores 1-0.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"