“Kam bërë një gafë në adoleshencë”, rrëfimi special i “peshkaqenit” Sadiku: Ju tregoj momentin kyç të karrierës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Dhjetor 9, 2019 | 13:23


“Kam bërë një gafë në adoleshencë”, rrëfimi special i “peshkaqenit” Sadiku: Ju tregoj momentin kyç të karrierës

Malaga po lufton për mbijetesën në Ligën e Dytë spanjolle dhe Armando Sadiku është bërë idhul li i ri në ekipin spanjoll. Një vit më parë, një argjentinas shënoi 6 herë brenda 11 javësh, por fundi i tij ishte i hidhur. Sipas prestigjiozes “Marca”, sulmuesi kuqezi me dopietën e shënuar së fundmi po udhëheq ekipin drejt arritjes së objektivit, por jo vetëm. 

entrevista_a_sadiku_fotos_jesus_noguera

Ai po shndërrohet në një nga bomberët me shifrat e kërkuara nga ky klub. Për këtë, Armando Sadiku është ndalur para mikrofonit të “Eldesmarque”, medias pranë skuadrës së Malagas.

Nga Shqipëria, adoleshenca dhe një episod në karrierën e Sadikut në dhjetor 2010, kur në një ndeshje të humbur të Elbasanit ndaj Laçit me rezultatin 3-2 ka goditur arbitrin anësor. Bomberi i Kombëtares e rikujton atë episod, golin e fitores historike ndaj Rumanisë në Europian, si dhe etapën aktuale të karrierës së tij në Spanjë.

Armando, si jeni?

Jam mirë. Shumë mirë. Ndihem si në shtëpi në kaq pak kohë. E gjithë kjo, falë pritjes që më kanë bërë në ekip shokët dhe tifozët.

 Qytet i rehatshëm për të jetuar, apo jo?

Po, jam me familjen dhe jemi shumë të gëzuar me jetën që bëjmë. Familja ime ndihet mirë dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua.

Diçka më shumë, çfarë bëni në kohën e lirë?

Jam një djalë i qetë. Nuk bëj shumë gjëra. Kur mbaroj stërvitjen, shkoj në shtëpi për të ngrënë dhe më pas pushoj. Më vonë dal me gruan time në Malaga për të shijuar kohën e lirë. Më pëlqen të shoh filma, të bëj blerje në dyqane dhe të pushoj.

entrevista_a_sadiku_fotos_jesus_noguera_004

 A ngjan me Valencian ku keni qenë më parë?

Po, janë dy qytete thuajse njësoj.

Çfarë kujtoni nga dita e fundit e merkatos?

Në tri ditët e fundit më duhej që të merrja një vendim se çfarë do të bëja. Kur Malaga kontaktoi, kam folur me familjen. Erdhi edhe menaxheri. Ditën e fundit u bë edhe më e vështirë, sepse duhet të vendosja shpejt. Megjithatë, jam i kënaqur me çfarë kam zgjedhur.

Çfarë ju tha Keidi Bare që në fillim?

Fola menjëherë me të dhe më tha se ekipi është i mirë. Qyteti gjithashtu. Më tha edhe që do të shënoja shumë gola. Ma tha këtë që ditën e parë (qesh…). fjalët e Keidit ishin të mira dhe kur vendosa, më ndikuan edhe ato që ai më tha.

Si ka qenë fëmijëria juaj? 

E kam nisur futbollin që në fëmijëri dhe babai ka qenë trajneri im i parë deri në moshën 15-vjeçare. Në moshën 16- vjeçare kam bërë ndeshjen e parë si profesionist.

Ka një kapitull të karrierës suaj kur keni qenë tek Elbasani. Çfarë ndodhi me arbitrin?

Isha adoleshent. Shumë gjëra nuk i kuptoja mirë, gjithmonë doja më shumë. Kërkoja më shumë nga vetja dhe insistitoja për të fituar gjithmonë. Por ka raste kur edhe humbet. Kam bërë diçka të keqe me një arbitër që më ndëshkoi dhe më pas jam pezulluar disa muaj. Episod që për mua shërbeu si pikënisje dhe për të tjera gjëra pozitive. Nga aty ika për të luajtur jashtë Shqipërisë, ishte moment kyç i karrierës sime. Nuk ishte aspak diçka e mirë, por prej saj unë u largova nga Shqipëria dhe ja ku jam sot.

662x372a_07232300sadiku

 Vendi juaj ka ndryshuar shumë… 

Çdo vit, kur kthehem në Shqipëri, gjej gjithmonë gjëra që kanë ndryshuar shumë. Tani ua them me krenari shokëve të ekipit që të vijnë ta vizitojnë Shqipërinë.

Kaq speciale është edhe grumbullimi me Kombëtaren? 

Sigurisht, çdo herë. Është tjetër gjë të kesh të veshur fanellën e një klubi dhe tjetër gjë që të kesh atë fanellë, për të cilën unë kam ëndërruar që kur isha fëmijë. Është shumë e rëndësishme për mua.

Keni operuar gjurin dy herë, me thyerje të rënda brenda tij. Si e keni tejkaluar?

Fatkeqësisht, kam pasur shumë dëmtime gjatë karrierës sime. Më kanë penalizuar sepse jam dëmtuar pikërisht në momentet më të mira. Dëmtimet e tilla që thoni ju më kanë lënë jashtë për kohë të gjatë. Megjithatë, falë Zotit jam këtu, ka ndodhur çfarë ka ndodhur. Tani jam mirë dhe për mua gjithçka është e kaluar kur ndihem i lumtur dhe kur mund të tregoj më të mirën në fushë.

Keni luajtur në shumë vende… 

Po, kam marrë kultura të ndryshme, mënyrë ta ndryshme pune dhe eksperiencë. Tani sa herë që ndryshoj, di të përshtatem më shpejt. Ka nisur që të më pëlqejnë ndryshimet.

Për golin e shënuar në Europian ndaj Rumanisë keni vrapuar si i çmendur… 

Me fat që nuk dola nga stadiumi (qesh…). ai ishte një gol që ndodh një herë në karrierë. Një herë në jetë. Të shënoja atë gol, për mua ishte një emocion i jashtëzakonshëm. Një ëndërr që m’u bë realitet. Ishte… fantastike. Në atë moment kisha aq shumë emocione dhe aq shumë kënaqësi, sa nuk dija t’i shprehja.

Një i sapoardhur në ekip, si ia del me problemet ekonomike që ka te Malaga?

Unë kam shumë eksperiencë dhe kam provuar edhe momente të tilla. Mirëpo, ju them diçka: Kur hyn në fushë, i harron të gjitha. Aty mendon vetëm çfarë të bësh që të fitosh në atë ndeshje. Vetëm kaq. Kur jam në fushë, nuk u jap rëndësi gjërave që ndodhin në klub. Nuk më interesojnë.

sadiku

Jeni i vetmi sulmues në ekip, a ju vë nën presion kjo?

Më jep më shumë motivim. Kur futem në lojë, dua që të jem një shembull për të gjithë shokët. Dua të tregoj gjithmonë e më shumë. Dy javët që kam qenë i sëmurë, i kam vuajtur shumë. Doja të luaja edhe i dëmtuar. Mendoj kështu sepse e konsideroj privilegj kur zbres në fushë.

Flisni gjithmonë gjëra të mira për tifozët…

Këtu te Malaga e ndiejnë vërtet shumë ekipin. Më ndodh të përjetoj emocionet që i kam vetëm kur luaj me Shqipërinë. Njerëzit e duan futbollin dhe ndihem sikur jam në shtëpi. Kjo ndjesi është spektakolare. E ndien këtë nga kontakti me tifozët dhe je i prirur që gjithmonë të japësh më shumë sesa 100%.

Bëtë heroin me dy gola, si ishte ajo ndeshje?

Kam bërë njësoj si në të gjitha ndeshjet e tjera, por ndodhi këtë herë. Unë dal i gëzuar nga fusha edhe nëse arrij të jap asiste, vetëm që ekipi të fitojë.

E donit një tripletë në këtë ndeshje, apo jo?

Jo, të them të drejtën, isha pak i lodhur në fund. E doja zëvendësimin disi më herët, por trajneri më ndërroi në fund. Si për ta bërë më të bukur, të gjithë tifozët më duartrokitën. Ishte diçka speciale.

bare sadiku

Ju ndihmon edhe prezenca e Keidit… 

Kemi marrëdhënie shumë të mirë. Jo vetëm ne, por edhe familjet tona. Jemi gjithmonë bashkë dhe kalojmë kohë bashkërisht me të dyja familjet. Për mua ishte miku i parë këtu në Malaga dhe më ka ndihmuar shumë.

Po me ushqimet, jeni përshtatur? 

Janë ndryshe nga çfarë kam ngrënë më parë, por më pëlqen. Kam provuar shumë ushqime vendëse dhe më pëlqejnë.

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com